Lidhje

Parlamenti shqiptar fillon diskutimet mbi projekt-buxhetin e vitit 2007


Parlamenti shqiptar nis të hënën diskutimet për projekt-buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, i cili parashikon investime prej 400 milionë dollarësh në infrastrukturë dhe rritje pagash për arsimin dhe shëndetësinë, si dhe rritje të pensioneve.

Nga projekt-ligji i paraqitur tashmë në komisionet e parlamentit del se fushat ku do të përqëndrohet buxheti, janë rritja 20% e pagave për administratën publike, rritjen 20% e pensioneve, investimet në infrastrukturën rrugore, në sektorin e shëndetësisë, arsimit, në modernizimin e ushtrisë dhe të policisë.

Në infrastrukturë fondet publike për vitin 2007 janë drejtuar kryesisht mbi akset e mëdha rrugore, autostradave Durrës-Morinë, dhe Lushnje-Vlorë, rrugës Korçë-Qafë Plloç, si edhe disa segmente të tjera në rrjetit rrugor të vendit.

Qeveria ka ndarë fonde të konsiderueshme edhe për ujësjellësat e Durrësit, Vlorës dhe qyeteteve të tjera të zonave turistike.

Sipas projekt-buxhetit, mjekësia së bashku me rritjen 20% të pagave të mjekëve dhe infermierëve, do të financohet për ndërtimin e pajisjen me mjete moderne për 2 spitale të reja në Tiranë dhe në Kavajë.

Buxheti për arsimin po shkon drejt dyfishimit. Krahas rritjes 20% të pagave do të financohen ndërtim shkolash, auditoresh, konviktesh të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese.

Edhe për ushtrinë është parashikuar këtë vit një rritje progresive buxheti, i cili është një nga kërkesat për anëtarësim në NATO.

Fonde të konsiderueshme janë ndarë këtë vit edhe për dënshpërblimet e ish- të përndjekurve politikë të diktaturës komuniste si dhe për kompensimin e pasurive të ish-pronarëve.

Në termat e përgjithsëm buxheti i projektuar siguron stabilitet makro-ekonomik, synon një rritje ekonomike mbi 6 përqind, dhe kontrollin e inflacionit.

Kjo është hera e parë që projekt-buxheti i shtetit paraqitet në parlament që në tetor, gati një muaj përpara kohës së zakonshme të shqyrtimit të tij, ndonëse pati edhe një rishikim në mes të vitit në bashkëpunim me FMN.

Një grup ekspertësh i Fondit ka ardhur në Tiranë për të ndjekur nga afër diskutimet mbi buxhetin e ri dhe për të shkëmbyer pikëpamje me qeverinë dhe qarqet politike mbi realizimin e investimeve ambicjoze që janë programuar. //kk//

XS
SM
MD
LG