Lidhje

Shtëpia-muze e presidentit të parë amerikan shpreson të tërheqë vizitorë të rinj


Mount Vernon, siç quhet ferma me shtëpinë muze e Presidentit të parë amerikan, George Washington, më 27 tetor festoi hapjen e galerive dhe disa sallave të reja kinemaje. Zyrtarët e shtëpisë-muze shpresojnë se ndryshimet do të tërheqin edhe vizitorë të tjerë që nuk janë të interesuar tek historia.

Mount Vernon qëndron hapur për vizitorët prej 150 vjetësh dhe është shtëpia historike më e vizituar në Shtetet e Bashkuara. Një milion vetë kalojnë nëpër mjediset e saj brenda një viti. Megjithë këto shifra të larta, siç shpjegon drejtori i muzeut Jim Reese, deri tani ka qenë e vështirë të tërhiqet një grup demografik:

“Adoleshentët, grupi më i vështirë demografik në botë, mund të tregojnë interes për këtë muze që deri tani nuk i tërhiqte.”

Qendra e re informuese Donald W. Reynolds ka 13 galeri dhe 3 salla kinemaje që kanë për synim të tërheqin adoleshentët dhe fëmijët me mjete elektronike moderne:

Edhe më tërheqëse për të rinjtë është salla e Luftës Revolucionare, e cila përqendrohet në rolin e Uashingtonit si komandant i përgjithshëm i trupave amerikane për pavarësi gjatë shekullit të 18-të. Në një skenë dimri, mbi shikuesit bie borë. Për 17 vjeçarin Collin Wilson, është një përvojë shumë realiste:

“Ka shumë efekte speciale: oshëtimat e topave, flokët e borës, shtullunga tymi. Është një mënyrë shumë interesante mësimi.”

Jane Forehand, e cila i arsimon vetë në shtëpi fëmijët, ka udhëtuar mbi 300 kilometra për t’i sjellë ata në përurimin e galerive:

“Kur je i ulur në sallë dhe ndjen borën që bie, dhe ndjen tronditjen që shkakon gjëmimi i topave, krijohet një përvojë që nuk mund t’ua jap me mësimet, por diçka që duhet ta ndjejnë vetë.”

Kjo përvojë jo vetëm që ka rritur numrin e vizitorëve të moshave të reja, por edhe i ndihmon ata të mësojnë fakte historike, shpjegon Ann Bay, Ndihmës-Drejtoreshë e muzeut Mount Vernon:

“Mendojmë se kemi krijuar një përvojë që i përshtatet veprimtarive që kryejnë të rinjtë e sotëm, si dhe mënyrës në të cilën ata thithin informacionin.”

Të gjithë vizitorët në Mount Vernon, pavarësisht se çfarë moshe janë, do të mësojnë se edhe nëse nuk kishte efekte speciale, jeta e Uashingtonit ishte shumë interesante, si kur ishte i ri, ashtu edhe kur ishte komandant ushtarak, President apo më pas. Uashingtoni është shumë më tepër se fytyra e stamposur në kartmonedhën 1-dollarëshe.

“Uashingtoni ishte më i fuqishmi, më aventurieri, më interesanti, më i forti fizikisht dhe më tërheqësi ndër baballarët e kombit amerikan. Ai nuk ishte thjesht personi më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm i kësaj periudhe historike, por edhe më karizmatiku”, thotë drejtori i muzeut.

Këto hollësi të jetës së Uashingtonit nuk rrëfeheshin më parë në Mount Vernon, por tani janë bërë të pranishme falë qendrës së re informuese.

XS
SM
MD
LG