Lidhje

Diskutim i filmit dokumentar “Kosova: Kush ka një plan për të?”


Ndërsa Kosova i afrohet përcaktimit të statusit, problemet si papunësia, mungesa e investimeve të huaja, furnizimi me energji dhe plotësimi në përgjithësi i nevojave të përditshme, janë disa nga temat që dalin nga dokumtentari “Kosova: Kush ka një plan për të?”. Megjithatë autoritetet duket se kanë shqetësime të tjera.

Disa fragmente nga filmi:

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic: “E ardhmja e të gjithë rajonit do të ishte tepër e rrezikshme nëse Kosova dhe Metohija merr pavarësinë”.

Arqipeshkvi serb Artemije: “Çdo gjë serbe e ka origjinën tek Kosova; ne nuk duhet dhe nuk do ta lëmë këtë tokë. Është djepi ynë”.

Hashim Thaçi: “Kjo është qesharake, e paimagjinueshme, e paparamendueshme që mund të ndodhë ndonjëherë në historinë e sotme dhe të ardhshme të Kosovës! Për Kosovën është vetëm një zgjidhje: respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtetin e pavarur dhe sovran!”

Ish-kryeministri Lupço Gjeorgjevski: “Një Kosovë e pavarur do të bëhet qendra më e madhe e krimit të organizuar në Evropë”.

Kjo është fryma e dokumentarit, por Jeta Xharra, drejtore për Kosovën e Rrjetit për Njoftimet Investiguese mbi Ballkanin, thekson se çështjeve të ngutshme të ditës duhet t’u kushtohet vëmendje më e madhe. Shoqëria civile dhe media, thotë ajo, menjëherë pas përcaktimit të statusit, duhet të fillojnë të ushtrojnë trysni ndaj klasës politike për t’u dhënë përgjigje këtyre problemeve. “Do të fillojë të shtohet trysnia ndaj politikanëve vendas për të zgjidhur problemet e popullatës si furnizimi me ujë, ngritja e një sitemi, ku jo çdo gjë të varet në nepotizëm për sigurimin e një pune apo arsim më të mirë, por të veprohet në bazë të meritës”.

Xharra thotë se një nga synimet e filmit është thyerja e steroetipeve. Ajo përmed përshtypjen që pati tek serbët në Beograd tregimi i gjyshes kosovare, e mbetur e vetme, pasi forcat serbe i kishin vrarë gati të gjithë djemtë dhe nipërit e saj, ose mbresat që la tek shqiptarët në Prishtinë rrëfimi i një ish-pjesëtari të forcave serbe, i cili dënonte luftën ku kishte marrë pjesë.

Nerma Jelaçiç, drejtore për Bosnjë-Hercegovinën e Rrjetit për Njoftimet Investiguese mbi Ballkanin, thotë se dokumentari i shfaqur në rajon ngjalli reagime të kundërta. “Jo shumë, por ndeshëm edhe në ragime negative. Disa shprehen se filmi u mban anën shqiptarëve, të tjerë thonë se është pro-serb apo pro-maqedonas. Kjo për ne do të thotë se filmi është i paanshëm”.

Pjesëmarrës në diskutim mendojnë se ekziston një hendek ndërmjet komenteve të politikanëve dhe të qytetarëve të thjeshtë. Gordana Igriç është drejtore rajonale e Rrjetit për Njoftimet Investiguese mbi Ballkanin: “E patëm mjaft të vështirë të bindim zyrtarët, ndërkombëtarë a vendas. Të gjitha intervistat i kemi zhvilluar para fillimit të negociatave. Të gjithë thoshin se planet do t’i paraqisnin në negociata. Nuk ishte e mundur t’i bindje për të dalë nga ajo platformë zyrtare bardhë-e-zi. Çdo pyetje e jona merrte vetëm përgjigje të menduara mirë për publikun, me përjashtim të analistëve”.

Diskutantë të ndryshëm folën për mangësi historike apo për mënyrën se si është trajtuar filmi. Megjithatë, producentët janë të vetëdijshëm për këtë. Ja ç’thotë Jeta Xharra për Zërin e Amerikës: “Ne si producentë ia pranojmë vetes që ka mangësi. Njëra prej mangësi, për shembull, është që jemi dashtë të vendosim se ku ekziston vija historike, prej cilit moment të fillojmë? Dhe në film, për shembull, dhuna e marsit përmendet mjaft. Kjo është nga se shumë njerëz, kur flasin për dhunën në Kosovë, nuk i referohen 1999-ës dhe dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve, por fatkeqësisht trazirave të marsit dhe kjo ngjarje ka marrë atë hapësirë që nuk do ta merrnin, për shmebull, tre muajt e bombardimeve ose çfarë ka bërë ushtria serbe gjatë luftës”.

Jeta Xharra thotë se në film nuk janë pëfshirë gjithashtu çështja e Luginës së Preshevës, ajo e shiptarëve në Mal të Zi, apo qendrimi i zyrtarëve malazezë për statusin përfundimtar të Kosovës.

Dokumentari është prodhim i Rrjetit për Njoftimet Investiguese mbi Ballkanin. //az//

XS
SM
MD
LG