Lidhje

Banka e Shqipërisë bën thirrje për bashkëpunim rajonal në tërheqjen e investimeve të huaja


Banka e Shqipërisë i bëri sot thirrje bankave të Evropës jug-lindore për të bashkëpunuar ngushtë në tërheqjen e investimeve të huaja, si një rrugë e sigurtë për zhvillim dhe integrim në Bashkimin Evropian. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i bëri këto komente sot në konferencën e Gjashtë Ndërkombëtare "Tregjet financiare rajonale dhe stabiliteti financiar".

Ai tha se fuqia thithëse për investime është ende e ulët në rajon dhe se duke bashkëpunuar ngushtë midis tyre sistemet financiare të këtyre vendeve mund të shërbejnë si përshpejtues të integrimit të rajonit në Bashkimit Europian.

"Shkalla e depërtimit të kapitalit të huaj në vendet tona është ende e ulët dhe ndërmjet të tjerash, pasqyron edhe vështirësinë e sistemeve tona financiare për të lehtësuar absorbimin e investimeve të huaja nga ana e ekonomive tona kombëtare. Kapacitetet absorbuese mund të përmirësohen ndjeshëm nëse investitorët dhe bankat i konceptojnë strategjitë e tyre në nivel rajonal dhe jo të fragmentuara në vende të veçanta" - tha zoti Fullani.

Në Konferencë morën pjesë drejtues të bankave qendore të rajonit nga Kroacia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Sllovenia, Rumania, Greqia, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Italia dhe Austria. Guvernatori Fullani theksoi se një veprim i bashkërenduar ekonomik në rajon do të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm.

"Shanset e rajonit për prosperitet të shpejtë dhe të qëndrueshëm janë të lidhura ndërmjet të tjerash, me aftësinë tonë për të vepruar në bllok. Në këtë drejtim, nuk përjashtohet edhe stabiliteti financiar, me të gjithë kompleksitetin që e karakterizon atë.”

Vështirësitë e sistemit financiar të Evropës jug-lindore u trajtuan me hollësi nga studiuesit e kësaj fushe. Sipas tyre, një problem janë tregjet e pazhvilluara të kapitalit. Po ashtu edhe numri i madh dhe mbizotërimi i bankave tregtare krahasuar me madhësinë ekonomike të rajonit, ku vlerësohet se shkrirja e një pjese ndërmjet tyre do ta konsolidonte sistemin financiar.

Ndërkaq kreditimi i ekonomisë është ende i ulët në rajon, rreziku i moskthimit të kredive është i lartë po ashtu si edhe konkurrenca jofitimprurëse midis bankave, në kushtet kur ekziston një diferencë e madhe ndërmjet normave të interesit të depozitave me ato të kredive.

XS
SM
MD
LG