Lidhje

Shqipëri: Ministria e Brëndshme dënon si një akt vandal sulmin kundër ish kryetarit të SHIK-ut, Fatos Klosi


Në Shqipëri Ministria e Brendëshme cilësoi mbrëmë si një akt vandal goditjen e ish-shefit të Shërbimeve Sekrete Fatos Klosi, duke kërkuar që organet e drejtësisë ta çojnë deri në fund zbardhejn e kësaj ngjarjeje.

Policia arrestoi dje, pak pas ngjarjes, Anibal Bashën, ish-punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar në vitet 1992 – 1997, i cili goditi me grushta zotin Klosi, kur ky i fundit sapo kishte dalë nga banesa e tij.

Zoti Klosi nuk pati probleme të rënda shëndetsore, përveç një frakture pas veshit. Ai e konsideroi sulmin ndaj tij si një veprim të paramenduar.

“Sapo zbrita nga shkallët e shtëpisë, domethënë po më priste tek dera e pallatit, m’u drejtua pa e zgjatur fare – ç’ke ti me mua, tha dhe filloi të më gjuaj me grushte. Pastaj me një të shtyrë shumë të fortë më përplasi në beton. Unë isha fare i papërgatitur, as e prisja fare, dhe për njëfarë kohe kam qënë fare i papërgjegjshëm (pandjenja) më erdhën në ndihmë komshinjtë”, shpjegoi zoti Klosi.

Zoti Klosi, aktualisht pedagog në universitetin e Tiranës, është edhe aktivist i Lëvizjes Socialiste për Integrim në opozitë. Zoti Klosi e lidhi sulmin me komentet që kishte bërë një natë më parë në një nga stacionet televizive të kryeqytetit lidhur me zhvillimet e brendëshme të periudhës kur ai ishte në detyrë.

Ndërsa Anibal Basha deklaroi në polici se ai e kishte qëlluar zotin Klosi, pasi ai kishte përfshirë Anibal Bashën në rrëmbimin dhe zhdukjen në vitin 1995, të një tregëtari shqiptar nga Maqedonia.

Opozita e cila reagoi menjëherë fajësoi për këtë qeverinë për shkak të klimës së re fashiste që sipas saj, ajo ka krijuar në vend duke reabilituar figurat e implikuara në akte dhune dhe ngjarjet e vitit 1997, duke përmendur këtu edhe ish-shefin e shërbimeve sekrete shqiptare në vitet 1992 – 1997, Bashkim Gazidede.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se kjo ndodh në sfondin e rritjes së kriminalitetit në vend duke fajësuar qeverinë.

“Kjo është frymë që po mbjell përditë e më thellë qeveria e politikës së vjetër kryeministri me sytë nga e shkuara, shumica që me metoda e me një vizion që nuk ka të bëjë me të ardhmen e këtij vendit përkrah me këtë frymë pikërisht antiligjin”, tha zoti Rama.

Ndaj qeverisë e drejtoi gishtin e akuzës dhe kryetari i Lvëzjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, parti në të cilën militon zoti Klosi.

“Kjo klimë revanshiste që nxit zoti Berisha, kjo përpjekje e tij për të reabilituar njerëz me përgjegjësi të madhe për ngjarjet e 97ës, për dhunën e ushtruar në atë kohë nga Shik-u ndaj opozitës, ndaj mediave, ndaj personaliteteve politike, ndaj zgjedhjeve të lira, pra është kjo klimë, është ky frymëzim që në fund të fundit për ne tregon edhe përgjegjësit e vërtetë të kësaj situate por edhe të kësaj ngjarjeje”, tha zoti Meta.

Zoti Meta i ka kërkuar kryeministrit të distancohet nga kjo ngjarje dhe të ndërpresë rehabilitimin e personve që sipas tij janë përgjegjës për dhunën në vitet 96-97. //ze//

XS
SM
MD
LG