Lidhje

Çështja e imigracionit në zgjedhjet për në Kongresin amerikan


Në Shtetet e Bashkuara, çështja e imigracionit të paligjshëm ka ngjallur shumë debate në gjithë vendin vitin e fundit dhe mund të jetë një nga faktorët në zgjedhjet për Kongresin. Një nga vendet ku kjo është një çështje me rëndësi është Arizona e Jugut, ku hyjnë shumica e emigrantëve nga Meksika. Në atë zonë, kandidatët po zhvillojnë fushatë me pretendimin se secila palë mund ta zgjidhë më mirë problemin.

Kandidati republikan për Distriktin e Tetë të Arizonës Randy Graf fitoi në zgjedhjet brenda partisë pavarësisht nga kundërshtimi i Komitetit Kombëtar Republikan në Washington. Drejtuesit e partisë besojnë se ai është shumë i përqednruar tek imigracioni duke i neglizhuar çështje të tjera të rëndësishme. Por ai mendon ndryshe. “Politikanët në Washington që na shikojnë nga një distancë prej 3 mijë e 700 kilometrash nuk besoj se janë në gjendje të kuptojnë se çfarë ka rëndësi për votuesit këtu”. Megjithëse Partia Republikane nuk po e ndihmon kandidatin Graf, një organizatë private për sigurinë kufitare po nxjerr reklama kundër rivales së tij demokrate, ish ligjvënëse e shtetit Gabrielle Giffords. Zoti Graf e akuzon atë se është në favor të një amnistie për emigrantët e paligjshëm. “Imigracioni i paligjshëm prek komunitetet tona, shkollat, sistemin tonë shëndetësor dhe gjykatat. Ka ndikim tek taksapaguesit në Arizona. Në fund të fundit, Gabrielle Giffords duhet të japë sqarime se pse mbështet amnistinë dhe hapjen e kufijve”.

Zonja Giffords nuk e pranon akuzën. “Duhet ta ndjekim me rreptësi këtë problem me mbikqyrje elektronike dhe zgjidhje të teknologjisë së lartë. Duhet të jemi në gjendje të marrim masa ndaj punëdhënësve që i marrin këta njerëz në punë ilegalisht dhe kemi nevojë për program për punësim sezonal”. Zonja Giffords thotë se një program punësimi sezonal që lë hapur mundësinë për shtetësinë nuk është falje për ata që kanë shkelur ligjet e imigracionit, pra nuk mund të quhet amnisti. Ajo thotë se e kupton peshën që ka imigracioni i paligjshëm ka vënë mbi shtetin”. “Ne këtu në Arizonën e jugut jemi të zemëruar. Kostoja bie mbi organet tona të rendit, agjencitë e ndërhyrjes së shpejtë, spitalet dhe klinikat, si edhe shkollat. Është një krizë federale dhe qeveria federale duhet të mbajë përgjegjësinë që i takon”. Por megjithëse imigracioni është një nga shqetësimet kryesore për votuesit, ata nuk janë të sigurt se ç’duhet bërë.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Arizonës Bill Dixon thotë se çështje të tjera si terrorizmi, lufta në Irak dhe kujdesi shëndetësor janë më të rëndësishme për shumë nga votuesit. Ai thotë se sipas një ankete të fundit zonja Giffords kryeson në garë dhe madje edhe në për çështjen e imigracionit zoti Graf nuk është në avantazh. “Për njerëzit që mendojnë se kufiri është çështja kryesore edhe në këtë drejtim të dy kandidatët kanë mbështetje pothuajse të njëjtë. Për të gjitha çështjet e tjera, Giffords ka një diferencë të dukshme ndaj zotit Graf”. Profesor Dixon thotë se votuesit që mbështesin mbrojtjen e kufirit, kundërshtohen nga ata që mbështesin imigrantët. Ai thotë se ndërsa taksapaguesve mund të mos u pëlqejë të paguajnë për shërbime sociale dhe kujdes shëndetësor për imigrantët e paligjshëm, të tjerë e kuptojnë pozitën e tyre dhe mendojnë se po ndihmojnë ekonominë. “Të themi të drejtën, nëse autoritetet do të fillonin të merrnin masa të ashpra ndaj punëdhënësve, industria e bujqësisë në Arizonën e Jugut do të kishte shumë probleme”. Randy Graf thotë se sipas disa anketave të reja ai ka epërsi ndaj Gabrielle Giffords. Të dy kandidatët do të dalin në një seri debatesh para ditës së votimit.

XS
SM
MD
LG