Lidhje

Siria hodhi poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara se Damasku, Teherani dhe Hezbollahu po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e Libanit

  • Dejvid Gollust

Siria hodhi poshtë një deklaratë të Shteteve të Bashkuara në të cilën thuhej se Damasku po bashkëpunon me Irani dhe grupi ekstremist shiit Hezbollah po përgatisin planet për të rrëzuar qeverinë e Libanit.

Me anë të një deklarate dje, ambasada e Sirisë në Uashington i quajti akuzat ‘absurde dhe të pabaza.’

Shtetet e Bashkuara shprehën dje shqetësimin se Siria dhe Irani po bashkëpunojnë me aleatë të Libanit për të rrëzuar qeverinë e Bejrutit. Shtëpia e Bardhë tha se zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë të gjithë bashkëpunëtorët të mos ndërhyjnë në punët e brendëshme të qeverisë së kryeministrit Siniora.

Në një deklaratë të pazakontë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se po shtohen provat se qeveria e Sirisë dhe ajo e Iranit, Hezbullahu dhe aleatë të Libanit, po hartojnë plane për rrëzimin e qeverisë të zotit Siniora, e cila erdhi në pushtet nga mesi i vitit të kaluar.

Zyrtarë nga administrata e presidentit Bush nuk dhanë hollësi mbi këto prova, duke thënë se nuk donin të zbulonin burimet e shërbimit sekret.

Por lëvizja shiite Hezbullah, e cila mbështetet nga Irani dhe Siria, ka kërcënuar demonstrata masive, nëse nuk krijohet një kabinet i bashkimit kombëtar, që do t’i japë Hezbullahut dhe aleatëve të tij të drejtën e vetos mbi vendimet kyçe.

Në deklaratën me shkrim, në emër të zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, thuhet se çdo tentativë për të destabilizuar qeverinë e zgjedhur të Libanit, nëpërmjet demonstratave të fabrikuara ose kërcënime ndaj udhëheqësve të saj, do të jetë të paktën një shkelje e qartë e sovranitetit libanez dhe e rezolutave të ndryshme të OKB-së.

Sipas deklaratës, një nga motivet e Sirisë, mund të jetë parandalimi i qeverisë së zotit Siniora të miratojë një statut për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për shqyrtimin e vrasjes së ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri, në shkurt të vitit 2005, ku janë përfshirë edhe figura të njohura siriane.

Shtëpia e Bardhë tha se çdo përpjekje për të mënjanuar krijimin e gjykatës do të dështojë, pasi bashkësia ndërkombëtare mund të veprojë e pavarur nga ngjarjet e brendëshme në Liban.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Snou, u tha gazetarëve më pas se ruajtja e një Libani demokratik është qënësore për stabilitetin e rajonit dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë për të gjithë në këtë rajon, siç u shpreh ai, se nuk duhet të përzihen në punët e brendëshme të qeverisë së zotit Siniora.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Shan McKormak, tha në një konferencë shtypi, se kërcënimet për një trazirë politike të udhëheqësit të Hezbullahut, Hasan Nasrallah, duhet të merren seriozisht duke marrë parasysh aktivitetin e kohëve të fundit të Hezbullahut, përfshirë provokimin e luftës me Izraelin.

“Pa dyshim, Hezbullahu ka përkrahësit e tij në Damask dhe Teheran. Kjo organizatë ka treguar se mund të kalojë çdo kufi. Shembulli më i fundit është shkaktimi i një lufte në rajon me një shtet sovran. Me sa duket ata që përfitojnë nga veprimet e Hezbullahut nuk kanë kufi për të arritur qëllimet e tyre.”

Deklarata pasoi një vizitë të zyrtarit libanez dhe anëtarit të parlamentit, Ualid Xhumblat, i cili kritikon ashpër ndërhyrjen siriane në zhvillimet e brendëshme libaneze.

Zoti Xhumblat, i cili u takua me nën-presidentin Dik Çeni dhe sekretaren e shtetit, Kondoliza Rajs, tha se gjykata ndërkombëtare për shqyrtimin e vrasjes së zotit Hariri, është e vetmja mënyrë për mënjanimin e vrasjeve të tjera dhe ndryshimin e qëndrimit të qeverisë siriane.

Në një intervistë të publikuar të martën me korrespondenten e televizionit libanez, Mei Kidiak, e cila u gjymtua gjatë një sulmi me makinë bombë vitin e kaluar, sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, tha se Shtetet e Bashkuara kanë marrë informacion për përpjekje të mudshme për kërcënime ose vrasje të reja në Liban.

Zonja Rajs tha se nuk është sekret që ka shqetësime se Siria, e cila e kishte pushtuar dikur Libanin, mund të provojë përsëri nëpërmjet kontakteve në këtë vend. Ajo shtoi se komuniteti ndërkombëtar beson se populli libanez nuk duhet të kërcënohet nga një forcë e huaj. //ze//

XS
SM
MD
LG