Lidhje

Prof. Fisher: Nuk është momenti i duhur për hapjen e dosjeve në Shqipëri


Një historian amerikan thotë se ky nuk është momenti i përshtatshëm për hapjen e dosjeve në Shqipëri. Profesor Bernd Fisher, autor i librave për Shqipërinë u shpreh në një intervistë për Zërin e Amerikës se do të kishte qenë më mirë të shtyhej debati për këtë çështje për një ose dy vjet, sa të vendosej një qëndrueshmëri më e madhe politike në vend. Profesori, që sapo është zgjedhur së fundmi anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, tha se ka ardhur koha që klasa politike shqiptare të tregojë më shumë pjekuri dhe të komunikojë pa nevojën e ndërhyrjes nga jashtë.

Zëri i Amerikës: Akademia shqiptare e Shkencave ju zgjodhi ju kohë e fundit si anëtar të saj. Çfarë mendoni për këtë emërim dhe cili do të jetë kontributi juaj?

Prof. Fisher: Ndjehem shumë i kënaqur dhe i nderuar që jam zgjedhur anëtar i kësaj akademie. Në letrën që më kishte dërguar Kryetari i Akademisë shprehej vlerësimi për punën time në shkencat shoqërore. Mendoj që bëhet fjalë për librat e mi që janë përkthyer në shqip dhe besoj janë pëlqyer.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri çështja e dosjeve ka hapur debate të ashpra në politikë dhe në publik ndërkohë që janë propozuar dy projekt-ligje, njëri nga socialistët që bën fjalë më shumë për figurat kryesore të shtetit shqiptar dhe një propozim i demokratëve për një thellim më të madh duke filluar nga figurat kryesore dhe më poshtë të politkës. Çfarë mendoni për këtë debat?

Prof. Fisher: Mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Më vjen keq që nuk është zgjidhur më parë, por nuk mendoj se ky është momenti më i përshtatshëm për t’u marrë me këtë çështje. Mendoj se çështja e dosjeve duhej të shtyhej deri pas një ose dy vjetësh, kur të ishte vendosur një qëndrueshmëri më e madhe në vend. Megjithatë unë e kuptoj që tani duhet bërë, derisa u hap si çështje. Besoj se do të ishte më e arsyeshme që të kufizohej tek anëtarë e qeverisë dhe ndoshta zyrtarë të lartë të administratës tani për tani.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh të kaluarën komuniste por edhe përvojën e vendeve të tjera me një të kaluar të tillë. Si mendoni ju se duhet trajtuar një temë e tillë?

Prof. Fisher: Besoj se kjo është një çështje kritike për Shqipërinë, ndoshta edhe më shumë nga ç’ishte për shtete të tjera komuniste, edhe për shkak të shtypjes më të madhe që provuan shqiptarët. Mendoj se ndjenjat e urrejtjes ndaj anëtarëve të regjimit komunist në Shqipëri do të ekzistojnë për një kohë më të gjatë sesa në vende të tjera. Ndoshta do të ishte e udhës të përdorej modeli i Afrikës së Jugut me ngritjen e komisioneve ku njerëzit të shkojnë dhe të pranojnë rolin e tyre në vend të hapjes së dosjeve. Kjo do të lehtësonte procesin e shërimit të plagëve. Hapja e kësaj çështjeje në këtë moment është motivuar më shumë nga rivaliteti politik dhe në kushtet e një situate të acaruar do të shkaktonte hakmarrje politike. Në parlament ka shumë nga ai që do ta quaja fjalor të urrejtjes. Ky fjalor është shumë jokonstruktiv jo vetëm për parlamentin, por edhe për marrëdhëniet mes dy partive. Dhe pa u qetësuar në një farë mase kjo atmosferë, trajtimi i çështjes së dosjeve duhet shtyrë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët pak më parë zgjedhjet vendore të cilat kanë një rëndësi të madhe po ta shohësh nga ana politike. Megjithatë tensionet janë shumë të larta politikisht në vend pikërisht në momentin kur duhet një stabilitet që është thelbësor për të ardhmen e vendit. Si e shihni ju një situatë të tillë?

Prof. Fisher: Mendoj se zgjedhjet vendore janë shumë shumë të rëndësishme. Jam dakord me Presidentin Moisiu kur thotë se ato mund të jenë më të rëndësishme se ato të përgjithshmet të vitit 2005 në kuptimin që ka një vëmendje më të madhe të drejtuar ndaj tyre. Tani që Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e asociim-stabilizimit dhe që po bëhen hapa drejt integrimit në NATO, vëmendja ndërkombëtare ndaj Shqipërisë është edhe më e madhe nga ç’ishte vitin e kaluar. Nëse këto zgjedhje nuk zhvillohen me sukses do të ishte një humbje e konsiderueshme. Është shqetësues fakti që dy partitë kryesore nuk bien dakord për reformën zgjedhore, madje as edhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Është për të ardhur keq që mesa duket duhet një ndërhyrje ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje mes tyre. Shqipëria duhet ta kalojë këtë fazë dhe t’i zgjidhë problemet brenda për brenda. Mendoj se në pjesën më të madhe kjo ka të bëjë thjesht me paaftësinë dhe mungesën e vullnetit të klasës politike për të komunikuar. Me fjalë të tjera nuk po krijohet dot koncepti i një opozite të sinqertë. Kur një parti merr pushtetin, partia tjetër në vend që të bashkëpunojë me forcën në pushtet në interes të shtetit duket se mendon që roli i saj është të minojë partinë në pushtet, në mënyrë që të bëjë thirrje për zgjedhje të parakohëshme, ose për të fituar pushtetin. Kjo ka të bëjë me pjekurinë politike dhe mendoj se Shqipëria ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, për fat të keq.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për Kosovën. Mandati i të dërguarit të posaçëm të OKB-së për bisedimet për statusin, Marti Ahtisaari u shty deri vitin e ardhshëm duke u hapur rrugën analizave dhe thënieve se statusi i Kosovës nuk do të zgjidhet brenda këtij viti. Në kontekstin e zhvillimeve rajonale, përfshirë edhe zhvillimet politike në Serbi si do ta shihnit situatën?

Prof. Fisher: Mendoj se situata në Kosovë, ashtu si në Shqipëri duket se po vjen në një pikë kritike. Qeveria serbe është e qartë se nuk ka qenë në gjendje që të përballet me çështjen e humbjes së Kosovës. Mendoj se ata duhet ta kapërcejnë një gjë të tillë në mënyrë që Serbisë t’i hapet rruga për t’u integruar në Evropë. Do të ishte në interesin e komunitetit ndërkombëtar që çështja e Kosovës të zgjidhej sa më shpejt. Sa më shumë krijohen vonesa, aq më shumë shtohen shanset që kosovarët t’i marrin gjërat vetë në dorë dhe ndoshta të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme dhe ndoshta t’u drejtohen dhunës përsëri, gjë që mendoj se do të kishte ndikim jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin politik të Ballkanit në përgjithësi. Megjithatë unë ende shpresoj që Kosova ta marrë pavarësinë ose para fundit të vitit, ose ndoshta në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Çështja tani do të jetë se çfarë lloj pavarësie do të jetë. Shpresoj që Grupi i Kontaktit, për të qetësuar serbët të mos krijojë ndonjë situatë politike ku shqiptarët të mos funksionojnë dot si shtet.

Zëri i Amerikës: Ju keni gati një libër për diktatorët e Ballkanit. A keni një datë për botimin e këtij libri? Dhe a do të botohet së shpejti në gjuhën shqipe?

Prof. Fisher: Po, pas shumë vitesh më në fund e kam gati librin dhe do të botohet në Londër këtë muaj dhe në Shtetet e Bashkuara në dhjetor. Po ashtu kam filluar procesin e bisedimeve me botuesin e librave të mi në Shqipëri për të realizuar përkthimin në shqip dhe ndoshta do të përfundojë në mes to vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG