Lidhje

Shqipëri: Parlamenti diskuton përsëri për reformën zgjedhore


Në Shqipëri edhe sot gjatë punimeve të parlamentit është diskutuar për çëshjen e reformës zgjedhore e cila ka mbetur e bllokuar.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Pandeli Majko ka kërkuar shtyrjen e afatit të komisionit të reformës zgjedhore, mandati i të cilit përfundoi dy ditë më parë. Sipas zotit Majko, pa u bërë kjo gjë politika shqiptare mbetet në udhëkryq. Sipas tij afati duhet të jetë fundi i Janarit, një datë e cila përkon me idenë e së majtës për zhvillimin e zgjedhjeve në pranverë të vitit të ardhshëm.

Por kryetari i grupit të Partisë Demokratike Bamir Topi e ka quajtur paradoksal propozimin e së majtës, pasi sipas tij në këtë mënyrë kërkohet shkelja e kushtetutës. Ai tha se ishte dakort për shtyrjen e afatit të komisionit, ndonëse u shpreh mosbesues se do të mund të arrihej ndonjë rezultat pasi siç deklaroi ai ka qenë opozita që ka bojkotur vazhdimisht këtë komision. Zoti Topi propozoi shtyrjen e afatit të komisionit deri më 10 nëntor

Ndërsa çështja e reformës eshte përqendruar vetëm në nivele debatesh politike, edhe dy javë kane mbetur nga afati i fundit për shpalljen e datës së zgjedhjeve nga Presidenti Alfred Moisiu, ku ka shumë mundësi që të zgjidhet java e tretë e muajit janar.

XS
SM
MD
LG