Lidhje

Mustafaj: Nuk ka ndryshim në qëndrimin e Moskës ndaj Kosovës

  • Laura Konda

Dje në Rusi u zhvillua një takim i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Detit të Zi, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në takim mori pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj. Zoti Mustafaj, krahas takimeve me zyrtarë të lartë të vendeve anëtare të Organizatës, u takua edhe me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, me të cilin bisedoi edhe për çështjen e Kosovës. Zëri i Amerikës i mori një intervistë telefonike nga Moska Ministrin të Jashtëm shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, në bisedën që patët me Ministrin e Jashtëm rus Lavrov, çfarë biseduat për Kosovën?

Besnik Mustafaj: Unë isha në Moskë për të marrë pjesë në një mbledhje të minitrave të jashtëm të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik për Detin e Zi dhe e shfrytëzova këtë rast, që të kem një bisedë të gjerë me ministrin Lavrov edhe një herë lidhur me zhvillimet në Ballkan dhe posaçërisht me zhvillimet në Kosovë, ku natyrisht tema kryesore dhe theksi kryesor u vu tek koha e mbylljes së negociatave dhe forma që duhet të ketë statusi final i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Cili është qëndrimi i Rusisë për statusin? A ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e saj të mëparshëm?

Besnik Mustafaj: Nuk ka një ndryshim të dukshëm në qëndrimin e mëparshëm. Dmth., me ministrin Lavrov, herën e fundit që kemi shkëmbyer biseda ka qenë në New York, gjatë ditëve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Rusia është një nga vendet e rëndësishme të Grupit të Kontaktit, po ashtu edhe anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe këmbëngul që të mos saktësohet një datë për mbylljen e negociatave, në mënyrë, sipas palës ruse, të mos ushtrohet presion mbi negociatorëve për arsye kohe dhe së dyti, të mos imponohet asnjë zgjidhje paraprakisht, ndaj njërës palë, ku ata kanë parasysh sepse serbët, pra që të synohet për një kompromis. Ne jemi dakord që të synohet një kompromis, por për hir të së vërtetës, duhet thënë se deri tani nuk shohim asnjë gatishmëri nga pala serbe për arritjen e një kompromisi.

Zëri i Amerikës: Grupi i Kontaktit ka deklaruar se statusi i Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për popullin e Kosovës. Rusia, si pjesë e grupit të kontaktit, a bashkohet me këtë qëndrim të Grupit?

Besnik Mustafaj: Në se është folur në emër të Grupit të Kontaktit, atëhere Rusia duhet të jetë bashkuar me këtë qëndrim. Por unë dua të theksoj gjithashtu se Rusia është e interesuar për stabilitet në rajon. U bisedua dhe së shpejti do të presin edhe kryeministrin Çeku besoj këtu në Moskë, në vazhdim të turit që ai ka zhvilluar, në të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit. Nuk shoh ndonjë qartësi, si të thuash, tek diplomacia ruse, për të kuptuar, që e para, zgjatja e negociatave nuk i shërben stabilitetit, pra duhen mbyllur sa më shpejt dhe Presidenti Ahtisari duhet të paraqesë sa më shpejtë rekomandimet dhe së dyti, duhet të jemi të qartë, se e vetmja zgjidhje është pavarësia, jo vetëm se kjo përputhet me vullnetin, me dëshirën dhe aspiratën e shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës, por se çdo kthim prapa nga kjo formë do të ishte destabilizuese.

Zëri i Amerikës: A mendoni që Rusia do të mund ta ndryshojë qëndrimin e saj lidhur me afatin e zgjidhjes së statusit të Kosovës me vazhdimin e procesit?

Besnik Mustafaj: Unë i shpreha ministrit Lavrov mendimin e qartë të diplomacisë shqiptare se nuk ka kohë për të humbur, e para dhe së dyti, se Shqipëria në këtë proces nuk është aktore, por është aktive, dhe se si vendi fqinj më i interesuar për stabilitet në Kosovë, ne shohim rrezikshmëri në se zgjatet procesi.

XS
SM
MD
LG