Lidhje

OSBE-ja publikon raportin mbi sistemin e drejtesisë penale në Shqipëri


Në Shqipëri të drejtat dhe liritë e individëve dhunohen shpesh herë dhe kjo krijon përshtypjen se sisitemi gjyqësor nuk është as i drejt as i pavarur. Në këtë përfundim arrin një studim i kryer mbi sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri nga ekspertë të OSBE-së. Analiza e prezantuar sot rikonfirmon shqetësimin për nivelin shqetësues të korrupsionit në sistemin e drejtësisë shqiptare e po ashtu për mënyrën e dobët të trajtimit të rasteve të dhunës në familje.

Megjithëse pranohet se sistemi gjyqësor shqiptar ka pësuar ndryshime rrënjesore në dhjetëvjeçarin e fundit, studimi i fundit i kryer nga OSBE dëshmon se përsëri ai mbetet i prekur dhe larg të qenit një sistem i qëndrueshëm e transparent, i bazuar në parimet e shtetit të së drejtës.

Analiza e kryer nga ekspertë ndërkombëtarë ka marrë në shqyrtim një numër cështjesh problematike duke arritur në përfundimin se "instrumentet ligjorë shpesh herë nuk respektohen ose abuzohen në mënyrë që të arrihen rezultate jo domosdoshmërisht ligjore. Për pasojë - shkruhet në studim - të drejtat dhe liritë e individëve dhunohen shpesh herë dhe krijohet përshtypja se sistemi gjyqësor nuk është as i drejtë dhe as i pavarur". Analiza rikonfirmon situatën shqetësuese dhe nivelin e lartë të korrupsionit në sistemin e drejtësisë shqiptare, ashtu sic ka rezultuar dhe nga sondazhe të ndryshme.

Në studimin e kryer jepen edhe dëshmi të rasteve korruptive, ku tregohet për gjyqtarë që kërkojnë nga karta telefonike rimbushëse deri në shuma prej disa dhjetra mijëra eurosh. Kështu jepen shembujt e një grabitësi me armë të liruar nga gjyqtari në këmbim të një makine të re, apo një trafikanti klandestinësh dhe prostitucioni që dënohet vetëm me gjobë pasi ka paguar 50 mijë euro, e deri të një kriminel i njohur dhe i pasur që dënohet me pak vjet pasi oficeri i policisë gjyqësore në këmbim të parave zhduku provat.

Sipas studimit "në Shqipëri palët e cështjeve shpesh shihen që i afrohen gjyqtarëve ose prokurorëve, prokurorët ose palët e tjera janë parë ulur në zyrat e gjyqtarëve ose të hyjnë në sallat e gjyqit së bashku me gjyqtarët. Avokatët mbrojtës ulen e pijën kafe me gjyqtarët". Në analizën e ekspertëve të OSBE-së thuhet se "ndërkohë që qeveria e re ka treguar angazhim serioz në luftën kundër korrupsionit pak masa janë marrë deri tani për të prekur cështjen e këtij fenomeni në sistemin gjyqësor". Një hap i parë rekomandohet t jetë dhënia fund e menjëherë kontakteve dhe lidhjeve të papërshtatshme ndërmjet anëtarëve të gjyqësorit dhe palëve në proces. Studimi trajton edhe cështjen e të drejtave dhe kushteve të paraburgimit.

Ekspertët konstatojnë se "në shumicën e rasteve personat të cilëve iu hiqet liria nuk informohen për arsyet e arrestimit apo ndalimit, keqtrajtohen rregullisht nga policia dhe nuk dërgohen në gjykatë brenda afateve të përcaktuara". Vendimet, po sipas studimit, argumentohet në mënyrë shumë të dobët dhe japin përshtypjen së masa e sigurisë e arrestit në burg shpesh jepet pa patur arsye ligjore. Po kështu, edhe kushtet e paraburgimit vlerësohet se lënë shumë për të dëshiruar dhe nuk i përmbushin aspak standartet ndërkombëtare.

Shqetësuese konsiderohet dhe mënyra e trajtimit të dhunës në familje e cila sipas studimit thuajse nuk hetohet fare dhe dënimet e parashikuara nuk janë në masën e duhur. Pjesa më e madhe e shkaktarëve të dhunës nuk dënohen ndërsa gratë që kërkojnë rrugëzgjidhje ndaj dhunës në familje kanë shumë pak apo aspak mbështetjen e autoriteteve.

XS
SM
MD
LG