Lidhje

Parlamenti i Kosovës miraton komisionin hetimor për abuzimet në financa


Parlamenti i Kosovës miratoi sot me shumicë votash krijimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili do të hetojë abuzimet dhe keqpërdorimet e financave të parlamentit gjatë kohës kur në krye të tij ishte një zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike, Nexhat Daci. Deputetët debatuan për orë të tëra që nga mëngjesi në lidhje me një raport të kontrollit të përgjithshëm i cili ka nxjerrë në pah shkelje, abuzime dhe keqpërdorime me financat e parlamentit. Ky raport i është dërguar tashmë hetuesisë.

Parlamenti i Kosovës votoi sot me 58 vota në favor dhe 5 kundër për ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me një raport të kontrollit të përgjithshëm i cili pohon shkelje, abuzime dhe keqpërdorime me financat e parlamentit, gjatë kohës kur kryetar i parlamentit ishte një nga zyrtarët e lartë të LDK-së, Nexhat Daci.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe se cështja për të cilën bëhet fjalë është dërguar tashmë në hetuesi. Zoti Gashi shprehu dilemën se mos ndëhyhet në punët e drejtësisë, por megjithatë, tha se LDK-ja do të votonte për një propozim që do të mundësojë transparencë në parlament. Naim Maloku, përfaqësues i grupit parlamentar të AAK-së, shprehu mbështetjen për formimin e komisionit hetimor nga parlamenti, duke kërkuar që ai të mos jetë komision i opozitës, por komision i parlamentit, i kryesuar nga një deputet i opozitës, por që do të përfaqësojë edhe fuqinë e grupeve parlamentare. Zoti Maloku kërkoi gjithashtu që vendimet e komisionit të jenë unike dhe unanime.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, tha se deputetët e kësaj partie morëm pjesë në debat jo për të dënuar dikë, por për të shfaqur mendimet e veta për raportin e kontrollit të përgjithshëm, i cili sic tha ai, është shumë i kufizuar. Zoti Krasniqi tha se ka fakte dhe dëshmi të tjera që tregojnë se keqpërdorimet kanë vazhduar që nga legjislatura e parë deri në të dytën dhe kërkoi që të krijohet një komision hetimor për të gjetur dhe vërtetuar shkallën e përgjegjësisë politike të njerëzve të veshur me përgjegjësinë e pushtetit. Zoti Krasniqi tha se ai duhet të jetë një komision ad-hock dhe të udhëhiqet nga opozita.

Kryetarja e grupit parlamentar të partisë Ora, Teuta Sahatçia, kërkoi që të formohet një komision hetimor që nuk ndërhyn në punën e hetuesisë por ndihmon në demokratizmin e punës së parlamentit dhe që duhet të udhëhiqet nga opozita. Kryesia e parlamentit kishte rënë dakord më parë për të votuar ngritjen e këtij komisioni hetimor, pas kërkesës së opozitës për krijimin e tij. Opozita e kushtëzoi kthimin në parlament me krijimin e një komisioni të tillë.

XS
SM
MD
LG