Lidhje

Analisti Kesiç kritikon bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë për Kosovën


Në procesin për përcaktimin e statusit të Kosovës komuniteti ndërkombëtar po përpiqet t’i lajë duart nga ky problem, duke e shtyrë procesin drejt një zgjidhjeje pragmatike që nuk i shërben qëndrueshmërisë në Kosovë, apo më gjerë në Ballkan, thotë analisti Obrad Kesiç. Zoti Kesiç thotë se këtë prirje e ka ndihmuar edhe udhëheqja politike në Beograd, e cila po përpiqet ta shfrytëzojë çështjen e Kosovës si një vegël politike, pa u përpjekur për një zgjidhje realiste të problemit.

Me analistin serbo-amerikan bisedoi kolegia Ardita Simiçia:

Zëri i Amerikës: Kushtetuta e re e Serbisë e cilëson Kosovën si pjesë përbërëse të Republikës Serbe. A kemi të bëjmë me një manovër politike për të qetësuar opinionin serb?

Obrad Kesic: First of all Mirëmbrëma! Ka dy aspekte në këtë pyetje. Së pari, kjo ishte një manovër politike, e kryer nga nervozizmi, pasi politikanët në Beograd ndjehen të pafuqishëm të bëjnë gjë tjetër, përveç një gjesti të tillë simbolik duke vënë në hyrje të kushtetutës një referencë për integritetin territorial të vendit, duke përfshirë edhe Kosovën. Nga ana tjetër është një manovër që synon të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme. Si rrjedhojë, kjo është një masë promovimi, që në këndvështrimin e qeverisë do të nxisë një pjesëmarrje më të lartë në votime, pasi do të mund t’i thonë elektoratit që arritën sukses në miratimin e kushtetutës, si provë që po mbrojnë Kosovën. Pra ata e konsiderojnë këtë si një arritje, pasi u kapërcye Kushtetuta e Millosheviçit, dhe tani mund t’u thonë votuesve: edhe çështjen e Kosovës e kemi pasur parasysh.

Zëri i Amerikës: Cilat forca politike kanë shanset më të mira për të fituar në zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe si mund të ndikojë kjo në ndryshimin e qëndrimit të Beogradit ndaj Kosovës?

Obrad Kesiç: Nuk mendoj se do të ketë të papritura në zgjedhjet e ardhshme. Blloku demokratik, ku përfshihet Partia Demokrate e kryesuar nga Presidenti Tadiç dhe Partia Demokratike e Serbisë e kryesuar nga kryeministri Koshtunica, nëse arrijnë të ruajnë aleancën e tyre, do të jenë ata që formojnë qeverinë e re. Këto zgjedhje nuk do të sjellin ndonjë ndryshim serioz. Nuk do të shohim ndonjë sukses për radikalët, të cilët, për momentin, ndeshen me probleme të shumta brenda partisë së tyre, pasi kreu i partisë, Vojisllav Sheshejl, i cili ndodhet në Hagë, vazhdon të ushtrojë ndikimin e tij, gjë që ka sjellë acarime brenda partisë. Por në zgjedhjet e ardhshme, veçanërisht nëse arrihet një zgjidhje për Kosovën që nuk është e pranueshme për Serbinë, rezultatet do të jenë ndryshe, pasi do të shohim prirje nacionaliste shumë më agresive.

Zëri i Amerikës: Zoti Kesiç, sa e rëndësishme është çështja e Kosovës për elektoratin serb në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare?

Obrad Kesic: Kosova është e rëndësishme për serbët, më së tepërmi, në planin psikologjik, pasi prej 15 vjetësh kanë përjetuar izolim ndërkombëtar, regjimin autokrat të Millosheviçit, një seri luftrash që u shoqëruan me vdekje dhe shkatërrim, pa ndonjë proces përgjegjshmërie, përveç proceseve në Hagë, të cilat nuk kanë ndikuar në zhvillimet në Serbi, pasi njerëzit nuk e pranojnë këtë institucion. Pra nuk ka pasur një proces ripajtimi në territorin e ish-Jugosllavisë. Megjithatë problemi më i madh qëndron në mënyrën si po merret vendimi për Kosovën, i cili shihet si poshtërim jo vetëm për Beogradin, por edhe për gjithë vendin. Fillimisht Serbisë iu tha se si vend demokratik, pas rrëzimit të Millosheviçit, duhet të bënin reformat e duhura që të antarësoheshin në Bashkimin Evropian. Ndërsa tani po thuhet se, meqë nuk është arrestuar Mlladiçi, ata nuk i përmbushin kushtet, pra, një person i vetëm është bërë më i rëndësishëm se të gjitha ndryshimet e tjera, dhe tani Serbisë i është thënë se duhet të heqë dorë nga 15 për qind e territorit. Njerëzit nuk i kuptojnë lidhjet e akteve të tanishme të kaluarën, dhe ndjehen të tradhëtuar nga komuniteti ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar dha një mesazh shumë të thjeshtë gjatë regjimit të Millosheviçit: nëse rrëzoni Millosheviçin, komuniteti ndërkombëtar do t’ju pranojë në gjirin e tij, por kjo nuk po ndodh dhe ka sjellë si rezultat një rritje të ndjenjave anti-amerikane dhe anti-evropiane në popullatë, që i hap dyert për prirje populiste dhe nacionalizëm agresiv. Për momentin nuk ka politikanë si Millosheviçi, të cilët të jenë në gjendje të manipulojnë situatën, por më vonë mund të dalin politikanë të tillë, të cilët të shfrytëzojnë dështimet e qeverisë aktuale gjë që mund të jetë shumë e rrezikshme për rajonin.

Zëri i Amerikës: Politikanët shqiptarë e akuzojnë Beogradin se ka ndikuar negativisht në ntegrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Sa me vend janë këto kritika?

Obrad Kesiç: Janë pjesërisht me vend, por në pjesën më të madhe do të thosha që nuk është e vërtetë. Problemi qëndron përsëri në kulturën politike në Ballkan, që lejon mungesën e përgjegjshmërisë. Nga njëra anë thuhet se nuk bëjmë dot gjë pasi komuniteti ndërkombëtar është më i fuqishëm, dhe nga ana tjetër është mungesa e vullnetit për të bërë gjë. Në rastin e komunitetit serb në Kosovë, politikanët shqiptarë dhe forcat politike atje nuk kanë treguar pjekuri në trajtimin e pakicave, pasi kanë pasur mundësi prej 6 vjetësh për të ndërtuar ura lidhëse por pozita e pakicave është ndoshta më e rëndë se e çdo pakice në Evropë. Nuk mund të fshihemi pas faktit se Beogradi nuk ka bërë shumë për të përmirësuar gjendjen, pasi përgjegjësia kryesore bie mbi Kosovën dhe përgjegjësia kërkon krijimin e lidhjeve personale. Nuk ka asnjë rast konkret kur mund të themi që një politikan shqiptar në Kosovë ka bërë një përpjekje reale për të forcuar lidhjet me komunitetin serb dhe arsyeja për këtë është se të gjithë janë të përqëndruar në çështjen e statusit. Ky përbën rrezik për udhëheqjen shqiptare në Kosovë, pasi të gjithë presin se ç’do të ndodhë me statusin, por pozita e palës shqiptare në Kosovë do të ishte më e fortë në procesin e statusit nëse do të kishte pasur përmirësim në gjendjen e pakicës serbe në Kosovë.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik se nëse nuk zgjidhet së shpejti çështja e statusit të Kosovës, komuniteti serb i Kosovës do të radikalizohet më tej dhe do të ndjehet edhe më i izoluar?

Obrad Kesiç: Mendoj se izolimi i këtij komuniteti nuk ka ku shkon më thellë. Mendoj se edhe nëse arrihet një vendim për statusin, nuk do të ndryshojë gjë, veçanërisht në gjendjen në Mitrovicë. Atje serbët ndjehen më të sigurtë, pikërisht për faktin se ndjehen si pjesë e Serbisë. Kur flitet për integrimin e Mitrovicës në Kosovë e konsiderojnë si kërcënim, dhe pyesin, “Përse shihet Mitrovica si problem, për faktin që serbët atje gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe kanë në dorë vendimarrjen lokale?”. Gjendja e Kosovës paraqet një ndarje de facto ku Serbia e ka humbur Kosovës, por edhe në vetë territorin e Kosovës kemi një ndarje de facto të Kosovës, dhe nëse dikush përpiqet ta ndryshojë gjendjen me mjete politike ose me forcë do të ketë një krizë të madhe në rajon, pra askush nuk është në gjendje të realizojë ndryshime dramatike.

Zëri i Amerikës : Çfarë shpreson të sigurojë Beogradi me një zgjatje të procesit për statusin e Kosovës? Si shpreson se mund të ndryshojë gjendja në favor të tij?

Obrad Kesiç: Njerëzit ende shpresojnë për mrekulli dhe mendoj se edhe në këtë rast ka më tepër shpresa se diçka konkrete. Nuk mendoj se vetë Beogradi e di se çfarë synon të arrijë. Mendoj se kanë disa objektiva të përgjithshme në mendje, por nuk janë treguar shumë të sinqertë me vetveten në procesin negociues apo me popullin serb, pasi nuk kanë diskutuar zgjidhjen ideale për Kosovën. Çdo propozim që ka paraqitur Beogradi lidhur me Kosovën deri tani ka treguar se ata janë më të interesuar në territor se sa në popullsinë e këtij territori. Ky është një problem i madh, pasi nuk mund të parashtrosh pretendime për një territor, pa theksuar edhe lidhjet me popullatën që jeton atje. Nuk ka pasur një përpjekje të duhur nga Beogradi për ta trajtuar këtë çështje, për shembull, në kushtetutën e re, ku Kosova përmendet në hyrje, por në pjesët e tjera në kushtetutës nuk përmendet çfarë roli do të kenë shqiptarët në parlament, në qeveri. Kjo përbën një pozitë shumë e vështirë, kur një vend ngre pretendime ndaj një territori, por nuk do shtetasit që jetojnë në këtë territor. Nga ana tjetër, argumenti i vetëm me vlerë që ka Beogradi, është se pa miratim nga Beogradi, situata do të ndërlikohej dhe nuk ka garanci për paqe dhe qëndrueshmëri për Ballkanin.

Zëri i Amerikës Kemi dëgjuar kohët e fundit për zgjidhje të mundshme si një pavarësi e kushtëzuar, një pavarësi e kufizuar, ose një pavarësi e padeklaruar. Çfarë zgjidhjesh mund të ishin këto?

Obrad Kesic: Një zgjidhje e përkohshme që nuk pritet të ngjallë polemika, është antarësimi i Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare. Serbia është e interesuar për këtë, pasi do të heqë një barrë të rëndë nga Serbia. Por kundërshtimet do të lindin, kur të bëhet fjalë për antarësim në organizata politike, si në OKB. Tani po flitet për një rezolutë të re që nuk merret me statusin e Kosovës, por me mbylljen e operacioneve të UNMIK-ut. I vetmi opsion që mbetet është njohja e pavarësisë së Kosovës në marrëveshje dypalëshe, që më duket se është rruga që synojnë të ndjekin negociatorët ndërkombëtarë. Ky proces është shumë i ndërlikuar kur njëra nga palët nuk e pranon atë. Nëse vende të ndryshme vendosin ta njohin Kosovën si vend të pavarur, ndërkohë që Serbia nuk e pranon diçka të tillë, krijohet një krizë në Ballkan, që dëmton potencialin për investime, si për Kosovën edhe më gjerë. Nëse kjo gjendje nuk trajtohet si duhet, atëherë situata që rezulton do të jetë shumë më problematike, pas shpalljes së statusit përfundimtar se aktualisht. //az//

XS
SM
MD
LG