Lidhje

Një ligjvënëse nga Kalifornia do të drejtojë Dhomën e Përfaqësuesve nëse  fitojnë demokratët


Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve më 7 nëntor, një ligjvënëse demokrate nga Kalifornia mund të bëhet gruaja e parë kryetare e kësaj dhome.

Nancy Pelosi u bë kryetare e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2002 pas dy dekadash si anëtare e Kongresit. Ndodhi menjëherë pasi demokratët kishin pësuar humbje shkurajuese ndaj republikanëve në zgjedhjet për Kongresin. Zonja Pelosi tha se partia e saj duhet të krijonte një kontrast të qartë me politikat e Presidentit Bush dhe republikanëve.

Katër vjet më pas, 66 vjeçarja, nënë e pesë fëmijëve është gati të bëhet e para grua kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, nëse demokratët marrin shumicën në zgjedhjet e së martës.

Votat e zonjës Pelosi janë pasqyrim i elektoratit te saj liberal në San Francisco. Ajo ka qenë aktive në drejtim të të drejtave të njeriut, planifikimin familjar dhe çështjet e mjedisit dhe votoi kundër shkurtimit të taksave të propozuar nga Presidenti Bush.

Ajo e kundërshtoi që në fillim luftën kundër Irakut dhe kundërshtoi programin e Presidentit Bush për përgjimin elektronik si masë kundër terrorizmit.

Ky qëndrim e ka kthyer atë në një nga objektivat e parë të sulmeve të kandidatëve republikanë, Presidentit Bush dhe zyrtareve të tjerë në administratën e tij.

“Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, personi i trete në radhë për presidencën do të ishte një anëtare e Kongresit që ka votuar kundër zgjatjes së afatit të Aktit Patriot, kundër krijimit të Departamentit për Sigurinë Kombëtare, kundër heqjes së Saddam Husseinit nga pushteti, kundër vazhdimit të programit anti-terrorizëm të mbikqyrjes dhe kundër marrjes në pyetje të terroristëve në programin e CIA-s”.

Këshilltari kryesor politik i Presidentit, Karl Rove dhe të tjerë i përsërisin këto akuza thuajse çdo ditë.

Edhe disa demokratë shqetësohen se sulmet republikane që e paraqesin zonjën Pelosi si nje personalitet jo te forte për sigurinë kombëtare dhe terrorizmin dhe në favor të ngritjes së taksave do t’i dëmtojë shanset e demokratëve.

Zonja Pelosi duket se fiton energji nga sulme të tilla, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë pohimeve të presidentit dhe republikanëve se një fitore demokratike do të thoshte humbje në Irak dhe në luftën kundër terrorizmit.

“Nuk më shqetësojnë fare keto thënie. Ato tregojnë se sa të dëshpëruar janë republikanët, derisa u duhet që të përdorin Presidentin Bush sulme politike”.

Kritikët kanë thënë se nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të fillonte një periudhë hakmarrjesh kundër republikanëve që e mbajne pushtetin që nga viti 1994. Por zonja Pelosi e kundërshton këtë qëndrim.

Ajo përjashton, për shembull, mundësinë e ndonjë përpjekjeje demokrate për ta akuzuar Presidentin Bush mbi mungesen e informacioneve te zbulimit para luftës së Irakut.

Nëse demokratët fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të martën, zonja Pelosi thotë se rezultati do të ishte një referendum për vetë republikanët.

Ajo zotohet se do t’i përdorte 100 ditët e para si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve për të vënë në zbatim të gjitha rekomandimet e komisionit të 11 shtatorit që hetoi sulmet terroriste të vitit 2001, për ngritjen e rrogës minimale dhe për të krijuar kushtet për kthimin e trupave amerikane në vitin 2007.

Përsa u takon ndryshimeve thelbësore që mund të ndodhin nëse demokratët fitojnë pushtetin në Kongres, zonja Pelosi thotë se ata do te sillnin integritet dhe ndershmëri në qeveri.

“Integritet, civilizim dhe përgjegjësi – ky do të ishte ndryshimi që do të sillnin demokratët”.

Ndërkohë, republikanët po bëjnë të gjitha përpjekjet që t’u kundervihen anketave që tregojnë se Pelosi dhe demokratët janë të preferuar pak ditë para se amerikanët të shkojnë në kutitë e votimit.

XS
SM
MD
LG