Lidhje

Politikanët amerikanë po bëjnë fushatë intensive dy ditë para zgjedhjeve të Kongresit


Presidenti George Bush po bën fusahtë në 10 shtete para zgjedhjeve të së martës për Kongresin. Ai u ka bërë thirrje republikanëve të përqendrohen në çështjet ekonomike dhe në shifrat e reja që tregojnë se papunësia në vend është në nivelin më të ulët në më shumë se pesë vjet.

Zoti Bush thotë se shkurtimet e tij rekord të taksave kanë nxitur rritjen ekonomike. Demokratët në Kongres thonë se do t’i bllokojnë shkurtimet e taksave nëse marrin nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve dhe se humbjet e të ardhurave kanë shkaktuar deficitin e madh buxhetor. Në fjalimin e tij javor në radio, Presidenti Bush tha se demokratët kanë pikpamje të gabuar për ekonominë.

“Ajo që nuk u duhet amerikanëve dhe bizneseve të vogla janë taksat e larta. Kjo do të ndodhi në qoftë se demokratët marrin kontrollin e Kongresit. Amerika ka nevojë për udhëheqës në Uashington, që të kuptojnë se ju e dini si të kurseni, të shpenzoni dhe të investoni paratë më mirë se sa qeveria federale”.

Anketat e opinionit tregojnë se demokratët mund të fitojnë mjaft vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë në 12 vjetët e fundit Anketuesit thonë se arsyeja për këtë është pakënaqësia e votuesve për luftën në Irak. Dy të tretat e amerikanëve nuk e miratojnë mënyrën se si Presidenti Bush e ka trajtuar gjendjen atje.

Në fjalimin radiofonik të demokratëve, ligjvënësja nga Pennsylvania, Lois Murphy, tha se partia e saj do të luftojë për një drejtim të ri në Irak.

“Pavarësisht se sa keq shkojë gjendja në Irak ose sa amerikanë të respektuar thonë se strategjia jonë nuk po jep rezultat, pavarësisht se sa herë ish sekretarët e Shtetit, Colin Powell and James Baker thonë se ne duhet të ndryshojmë drejtim, pavarësisht se sa agjenci të zbulimit na thonë se Iraku ka krijuar më shumë terroristë se sa kemi patur më parë dhe pavarësisht se sa gjeneralë thonë se Rumsfeldi duhet të largohet, presidenti ynë dhe Kongresi i tij Republikan janë zotuar se nuk do të ndryshojnë asgjë, nëqoftë se ruajnë pushtetin”.

Në një miting të republikanëve në shtetin e Colorados, Presidenti Bush tha se trupat amerikane po e fitojnë luftën dhe se demokratët nuk kanë ndonjë plan për Irakun.

“Ata do të largohen para se misioni të përfundojë. Unë nuk them se këta njerëz nuk janë patriotë. Unë them se ata e kanë gabim”.

Demokratët thonë se ata e kanë një strategji. Udhëheqësi i tyre në Dhomën e Përfaqësuesve thotë se demokratët kërkojnë që Iraku të marrë më shumë përgjegjësi për sigurimin e tij dhe se do të fillojnë kthimin e trupave në Shtetet e Bashkuara këtë vit.

Rezultatet e një ankete të opinionit, të publikuara dje nga revista Newsweek, tregojnë se 54 përqind e zgjedhësve do të votojnë për demokratët dhe 38 përqind për republikanët.

XS
SM
MD
LG