Lidhje

Qetësohet gjendja në Bagdat pas reagimeve mbi vendimin për dënimin e Sadam Huseinit


Autoritetet irakiane po e heqin gradualisht gjendjen e ndalim-qarkullimit të vendosur në Bagdad, si masë për parandalimin e dhunës sektare pas dënimit me vdekje të ish-diktatorit irakian Sadam Husein.

Qeveria irakiane thotë se e ka hequr ndalimin e trafikut të këmbësorëve dhe se ka në plan të heqë edhe ndalimin e trafikut të automjeteve në Bagdad dhe në dy provincat fqinje, Dixhala dhe Salahedin, nesër në mëngjes.

Gjykata e Lartë e Irakut e shpalli dje vendimin për dënimin me vdekje të Sadam Huseinit për krime kundër njerëzimit, lidhur me vrasjen e fshatarëve shiitë në vitin 1982 në Duxhail.

Shiitët në Irak e festuan vendimin e djeshëm, ndërsa disa arabë suni zhvilluan protesta pro-Sadamit. Presidenti Bush e vlerësoi vendimin e gjyqit, duke thënë se ai ka rëndësi të madhe për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Irak.

Ndërsa Kryeministri britanik Tony Blair tha se qeveria e tij e kundërshton dënimin me vdekje për Sadamin, ashtu sikurse edhe për çdo njeri tjetër, por ai shtoi se gjyqi shërbeu si një tjetër kujtesë për “brutalitetin” e regjimit të Sadam Huseinit.

XS
SM
MD
LG