Lidhje

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë do të jenë prioritare për Tiranën


Shqipëria është e vendosur që të shtojë shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, si një mundësi zhvillimi për të dy vendet. Zyrtarë të qeverisë pohojnë se krahas ndërtimit të autostradës Durrës- Morinë që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, autoritetet kanë menduar lehtësimin e disa kushteve të tjera për qarkullimin më të mirë të mallrave dhe bizneseve në të dy anët e kufirit.

Ministri i Financave Ridvan Bode thotë se në projekt-buxhetin e vitit 2007 është programuar ulja dy herë e nivelit të taksave doganore, për të plotësuar detyrimet në kuadrin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, Marrëveshjes me Organizatës Botërore të Tregtisë dhe veçanërisht të Marrëvehsjes së Stabilizim - Asociimit të ratifikuar me Bashkimin Europian.

"Ideja për të zgjeruar shkëmbimet tregtare në rajon nuk është e re, por është i tillë intensifikimi që po bën qeveria shqiptare për t'i mundësuar ato së pari me Kosovën. Kjo reflekton edhe një detyrim moral dhe prioritet të natyrshëm të një kombi unik të ndarë në dy shtete. Ne do të përpiqemi maksimalisht që të bëjmë të mundur lehtësimin e cdo lloj detyrimi dhe barre fiskale, apo detyrimesh të tjera ekonomike që kanë qytetarët e të dy vendeve në shkëmbimet dhe veprimtaritë ekonomike që ato do të realizojnë tek njëri-tjetri" - tha zoti Bode.

Nga ana tjetër, ministri Bode thotë se shkëmbimi faktik i mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës është aktualisht në nivele të larta, duke shtuar se në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Shqipëri - Kosovë zhvillimi ekonomik reciprok do të ngrejë më tej edhe marrëdhëniet tregtare.

"Ne kemi gati tërësisht të zbatuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Kosovën. Niveli i shkëmbimeve dhe furnizimeve reciproke ka të bëjë edhe me zhvillimin ekonomik të vendeve; pra, se sa është në gjendje Shqipëria të plotësojë me mallrat e saj nevojat e Kosovës, dhe sa është në gjendje Kosova të plotësojë nevojat e Shqipërisë me mallra origjine. Mendoj që përqindjet e këtyre shkëmbimeve për nga origjina do të kufizohen dhe do të kushtëzohen nga niveli i zhvillimit ekonomik, ndërsa përqindjet e shkëmbimeve nga pikëpamja e tranziteve dhe lëvizjeve janë jashtëzakonisht të mëdha dhe dëshmojnë këtë intensitet marrëdhëniesh që kanë të dy vendet tona" - thotë zoti Bode.

Studiuesit e ekonomisë dhe financave shqiptare janë përfshirë këto ditë në diskutimet për projekt-buxhetin e shtetit 2007, pjesë e të cilit është edhe nxitja e shkëmbimeve tregtare. Ai parashikon rritjen e investimeve publike 50% më shumë se një vit më parë dhe 2 herë më shumë se 2005. Buxheti për arsimin do të rritet 21%, ai për mjekësinë 17 %, krahas rritjes me 20% të pagave në këto sektorë dhe rritjes së pensioneve në qytet dhe në fshat. //ad//

XS
SM
MD
LG