Lidhje

Shqipëria kërkon që FMN-ja të lejojë rritjen e kufirit të kredive tregëtare


Në Shqipëri, Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha sot se në muajin janar, bordi i drejtorëve do të vendosë rreth kërkesës së autoriteteve shqiptare për të rritur kufiri e kredive tregtare që qeveria lejohet të marrë. Ministri i Financave Ridvan Bode tha se është biseduar që për vitin 2007 niveli i kredive tregtare të jetë në 380 milion euro, një pjesë e madhe e së cilës do të përdoret përe financimin e rrugës Durrës- Morinë. Qeveria do të investojë për 2 vjet e gjysëm 550 milion euro për ndërtimin e këtij aksi rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar qëndroi në Shqipëri për dy javë për të biseduar me autoritetet e për rishikimin e dytë të programit të përbashkët. Pjesë e diskutimeve dhe kontakteve që misioni ka patur me përfaqësues edhe të politikës por edhe të biznesit ka qenë edhe buxheti i vitit 2007, i hartuar tashmë nga qeveria shqiptare dhe që i është nënshtruar diskutimeve dhe në parlament.

Misioni i Fondit Monetar ka deklaruar se në përgjithësi programi me Shqipërinë është në rrugë të mbarë dhe progresi në reformat strukturore ka qenë i kënaqshëm. Po ashtu, sipas misionit, edhe zhvillimet makroekonomike janë në linjë me parashikimet. Kështu rritja ekonomike pritet të jetë të paktën në 5 përqind këtë vit dhe të rikthehet në kuotën e 6 përqind për vitin e ardhshëm duke ruajtur në nivelin mesatar të 3 përqindshit edhe inflacionin.

Sipas ekspertëve të Fondit Monetar buxheti i vitit 2007 bazohet në parashikime realiste për të ardhurat, ndërsa privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha pritet të përshpejtohet vitin e ardhshëm.

Një vend të rëndësishëm këtë herë ka zënë diskutimi rreth kërkesës së qeverisë shqiptare për të rritur kufirin e kredisë me terma tregtarë që ajo mund të marrë për të financuar investimet e veçanërisht rrugën Durrës Morinë, i cili përfaqëson projektin më të madh infrastrukturor të ndërmarrë deri më tani në Shqipëri. Siç dihet qeveria ka nënshkruar kontratën me një konsorcium amerikano-turk për ndërtimin e segmentit më të vështirë, atë Rrëshën Kalimash i cili do të kushtojë 418 milion euro. Qeveria shqiptare ka kërkuar që niveli i kësaj kredie me terma tregtare të rritet me 100 milion euro dhe të jetë në kuotën e 380 milionëve për vitin tjetër.

Misioni i Fondit Monetar u shpreh se bisedimet për këtë pikë janë ende në vazhdim dhe se për këtë do të merret një vendim në muajin Janar. Sipas Ministrit shqiptare të Financave Ridvan Bode deri në 2009 Shqipëria ka të drejtën të përfitojë deri në 680 milion euro kredi me terma tregtare që do të thotë kredi me interesa të larta. Në dy vjet e gjysëm, pra deri në mesin e vitit 2009 qeveria shqiptare parashikon të investojë 550 milion euro për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë. Zoti Bode tha se ky investim nuk prek objektivat e tjerë duke saktësuar se do të vazhdojë rritja edhe për sektorët e Shëndetësisë dhe arsimit, ashtu sikundër nuk do të preken edhe investimet e tjera infrastrukturore të parashikuara më parë.

Edhe përfaqësuesi i Fondit Monetar tha se është rënë dakort që programi i politikave fiskale afatmesme do të mbetet i pandryshuar ashtu si nuk do të mund të pësojnë ndryshime as objektivat e tjerë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

XS
SM
MD
LG