Lidhje

Shqipëria bën përparim të pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit


Organizata Transparency International, me seli në Gjermani, publikoi sot raportin vjetor, ku renditen 163 vende sipas shkallës së korrupsionit, duke u bazuar tek vëzhgimet e biznesmenëve dhe analistëve të këtyre vendeve.

Shqipëria është në vendin e 111 në botë, ose 15 shkallë më lartë se një vit më parë.

Këtë vit Shqipëria ka lënë pas disa vende të rajonit, megjithatë korrupsioni ende perceptohet si i niveleve kritike dhe lufta ndaj tij si e pamjaftueshme.

Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Kreshnik Spahiu, që i cili përfaqëson Transparency International në Shqipëri, thotë se vendit i duhet një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë: "Ne i rekomandojmë qeverisë, parlamentit, prokurorisë, Gjykatave si dhe të gjithë institucioneve të tjera të përfshira ligjërisht në luftën kundër korrupsionit: Përgatitjen e një strategjie kombëtare afatgjatë për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe realizimin e reformave radikale dhe të menjëhershme në sistemin gjyqësor dhe prokurori si dy institucionet që kanë përgjegjësi të drejtëpërdrejtë në luftën kundër krimit" - tha zoti Spahiu.

Në një reagim mbi raportin e Transparency International për korrupsionin, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se prej disa kohësh "opozita e ka ftuar maxhorancën që të bashkëpunojë me përfaqësues të pushtetit gjyqësor, shoqërinë civile dhe ekspertë ndërkombëtarë në hartimin e një projekti për reformimin dhe modernizimin e sistemit të drejtësisë", por Partia Demokratike në pushtet ka refuzuar sepse politika e saj "e përfytyron reformën në drejtësi si ndërrim mekanik të drejtuesve të drejtësisë".

Në raport vihet në dukje se Shqipëria ka lënë pas në renditjen e antikorrupsionit vende si Rusia, Bjellorusia, dhe Azerbajxhani, por vende të tjera në Ballkan si Sllovenia, Kroacia dhe Turqia e kanë kaluar atë në luftën kundër korrupsionit, duke shënuar progres të dukshëm. "Megjithë progresin e manifestuar nëpërmjet ngjitjes së 15 shkallëve përsëri Shqipëria mbetet në zonën e vendeve ku korrupsioni i ka mbërthyer popujt në një varfëri të thellë. Këtë situatë e ka favorizuar edhe egzistenca e tolerancës së sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit duke regjistruar rekorde negative të statistikave gjyqësore. Ende në Shqipëri nuk figuron i dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë asnjë ministër, deputet, kryetar Bashkie, kryetar partie apo ndonjë drejtues tjetër i ndonjë institucionin kushtetues" - tha zoti Spahiu.

Në reagimin e tij mbi raportin e Transparency International për korrupsionin, kryeministri Sali Berisha tha se ngjitja 15 shkallë në renditjen botërore është inkurajuese, "por përparimi do të ishte më i madh nëse disa poste të drejtësisë nuk do të ishin kapur nga zyrtarë të inkriminuar dhe të korruptuar". Ai tha se rol kryesor në luftën kundër korrupsionit ka parlamenti me ligjet që nxjerr, ndërsa qeveria do të rritë transparencën e përdorimit të fondeve. Kryeministri Berisha tha se organizatat që matin korrupsionin po shohin se si "prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku ka paralizuar gjykimin dhe ndëshkimin e ish-zyrtarëve të korruptuar të cilët janë paditur me dokumenta prej një viti". Ai bëri të ditur se "një projekt-ligj është bërë gati për nxjerrjen e kryeprokurorit para drejtësisë", duke shprehur shqetësimin se "mosndëshkimi i korrupsionit po pengon investimet e huaja në Shqiëri".

Kjo është hera e parë që Shqipëria ngjit disa shkallë në renditjen botërore të antikorrupsionit, pasi qysh prej 2003 e këtej ajo shënonte vetëm rënie të vazhdueshme dhe përkeqësim të gjendjes së korrupsionit.

XS
SM
MD
LG