Lidhje

ODIHR kthehet në Tiranë për reformën zgjedhore


Një mision faktmbledhës i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta Njerëzore, ODIHR, po zhvillon bisedime në Tiranë me përfaqësues të forcave kryesore politike lidhur me vështirësitë e reformës zgjedhore. Delegacioni i ODIHR-it i nisi të martën takimet me përfaqësuesit e Partisë Socialiste të opozitës për të vazhduar gjatë dy ditëve edhe me forca të tjera politike.

"Trajtuam të gjitha shqetësimet e njohura tonat, duke filluar nga jetësimi i marrëveshjes lidhur me 3 çështjet, e regjistrit të përkohshëm, e bordeve të mediave që ende janë ato që ishin që vazhdojnë veprimtarinë e tyre sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe e KQZ-së që mbetet ajo që ishte" - tha kryetari socialist, Edi Rama, pas takimit me ODIHR.

Po sot zëvendësministri i brendshëm, Ferdinand Poni, tha se “ka përfunduar kontaktimi i gjithë qytetarëve të regjistrave të përkohshëm dhe se aktualisht po kryhet transferimi i dokumentave të tyre në regjistrin e përhershëm të gjendjes civile, një proces që po mbaron me shpejtësi”.

Ky regjistër kombëtar si edhe shtimi i disa anëtarëve në bordet e mediave dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë pikat kryesore të marrëveshjes pozitë-opozitë për amendamente ligjore. Për të arritur këto amendamente parlamenti shtyu edhe për disa ditë, deri më 14 nëntor, punën e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore. Por, vetëm pak ditë pas këtij afati, skadon edhe afati kushtetues për shpalljen e një date zgjedhjesh.

Po të martën Presidenti Alfred Moisiu u takua me drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe përfaqësues të shumicës dhe opozitës për të diskutuar përgatitjen e zgjedhjeve dhe ecurinë e reformës zgjedhore. Një muaj më parë zoti Moisiu deklaroi gjatë një takimi me përfaqësues të forcave politike se do të respektonte afatet kushtetuese për datën e zgjedhjeve, nëse partitë nuk propozonin me kompromis nja datë të pranuar nga të gjitha palët.

Reforma zgjedhore në Shqipëri ka kaluar mes incidentesh të shumta në parlament dhe po vonohet prej së paku një viti, qyshkur në një tryezë tjetër me presidentin Moisiu në djetor 2005 forcat politike u angazhuan për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE në përmirësimin e procesit zgjedhor. //az//

XS
SM
MD
LG