Lidhje

Komentet e presidentit Bush pas fitores së Demokratëve në zgjedhje


Presidenti Bush pranoi gjatë një konference shtypi se fitorja e demokratëve në zgjedhjet për në Kongres është një sinjal se amerikanët janë të pakënaqur me mungesën e përparimit në Irak.

Gjatë një konference shtypi sot në Uashington, Presidenti Bush tha se ai është i zhgënjyer me rezultatet e zgjedhjeve të së martës. Ai përshëndeti demokratët që zhvilluan një fushatë të disiplinuar, gjatë së cilës opozita mori kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe mund të marë edhe kontrollin e Senatit.

Presidenti tha se ai ka biseduar si me udhëheqës demokratë edhe republikanë dhe u ka bërë thirrje të dy partive të bashkëpunojnë për të zgjidhur problemet e vështira me të cilat ndeshet vendi, përfshirë ekonominë, sektorin e energjitikës dhe luftën në Irak.

Presidenti Bush tha se ai do të punojë me kryetaren e ardhshme të Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi për të gjetur pika të përbashkëta për të çuar vendin përpara.

Ligjvënësja demokrate nga Kalifornia ka qënë kritike e ashpër e Presidentit Bush dhe luftës në Irak.

Presidenti tha se votuesit presin që dy partitë të bashkëpunojnë. Një prej çështjeve për të cilën mund të bashkëpunohet tha ai, është për rritjen e pagës minimale, si dhe për ligjin për shkollimin e fëmijve, një ligj i miratuar me nismën e Presidentit Bush.

Presidenti po ashtu tha se ai ka besim të plotë tek nënpresidenti Dik Çeni. Nënpresidenti, tha ai, do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit.

XS
SM
MD
LG