Lidhje

Presidenti Bush vazhdon takimet me demokratët


Presidenti Bush thotë se republikanët dhe demokratët kanë tani mundësinë t’u tregojnë amerikanëve se të dyja partitë janë njësoj të shqetësuara mbi të ardhmen dhe mund të punojnë së bashku.

“Zgjedhjet përfunduan, por problemet nuk janë larguar.Unë sigurova senatorët se ne do të bashkëpunojmë për të zgjidhur problemet e përbashkëta”.

Presidenti Bush dhe nën-presidenti Çeni, kishin të ftuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, senatorët demokratë Heri Riid dhe Dik Dërbin. Senatori Riid, i cili pritet të marrë detyrën e udhëheqësit të shumicës në Senat, tha se ata kishin zhvilluar një diskutim të shkëlqyer.

“Zgjedhjet morën fund. Mënyra e vetme për të përparuar është bashkëpunimi midis dy partive për të arritur rezultate. Sot ne të katërt u zotuam këtu për një bashkëpunim”.

Presidenti Bush thotë se ka shumë punë për t’u bërë në Kongresin aktual përpara se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit të ri në muajin janar, përfshirë ligjet mbi shpenëzimet, programin e përgjimit të personave të dyshur për terrorizëm dhe investimet për zbulimin e burimeve altarnative të energjisë.

Ai kërkon gjithashtu që ligjvënësit të përfundojnë punën mbi Marrëveshjen e Tregëtisë së Lirë me Vietnamin si dhe një ligj i cili miraton bashkëpunimin me Indinë në fushën e teknologjisë bërthamore civile.

Por dy nga qëllimet më të rëndësishme të presidentit duken të pamundura në Senat. Demokratët vazhdojnë të mospajtohen me një vendim legjislativ mbi debatin e tejzgjatur të përgjimit të personave të dyshuar për terrorizëm, pa siguruar më parë miratimin e gjykatës përkatëse.

Presidenti Bush kërkon gjithashtu që ambasadori amerikan i përkohëshëm në OKB, Xhon Bolton, të miratohet përfundimisht brenda fundit të vitit. Megjithëse shumë demokratë kundërshtojnë emërimin e zotit Bolton në këtë detyrë, është senatori republikan, Linkoln Çafi, i cili mund të bllokojë miratimin e tij.

Zoti Çafi është anëtar i komisionit që ka përgjegjësinë për të paraqitur përpara Senatit çështjen e miratimit të zotit Bolton. Kundërshtimi i tij mund të parandalojë votimin për konfirmimin e zotit Bolton si ambasador i Sheteteve të Bashkuara në OKB, post të cilin zoti Bolton e mban përkohësisht.

XS
SM
MD
LG