Lidhje

Ndryshimi i politikës amerikane pas fitores së demokratëve


Demokratët që fituan garën për në kongres po bëjnë thirrje për ndryshime në politikën e administratës Bush mbi Irakun, ndërkohë që Presidenti njoftoi dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes Donald Rumsfeld. Shqetësimi mbi luftën në Irak nxiti shumë votues ta hedhin votën për demokratët.

Lufta në Irak ishte çështja kryesore për zgjedhësit që hodhën votat të martën. Sipas sondazheve menjëherë pas votimit 6 ndër 10 votues nuk e miratonin luftën në Irak dhe kjo ndikoi në votën e tyre. Shumë votuan për demokratët që premtonin për ndryshimin e politikës për Irakun. Thelma Smith, banore e Virxhinias, beson se lufta ka dëmtuar imazhin e Amerikës në botë. “Unë udhëtoj shumë nëpër botë. Imazhi i Amerikës është dëmtuar në shumë vende. Të gjithë na donin, por tani duket nuk është më ashtu”.

Dhe ndryshimi është premtimi i demokratëve, posaçërisht për Irakun. Ligjvënësja Nancy Pelosi, e cila ka shumë mundësi të jetë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve: “Për asnjë çështje nuk ishte më e qartë kërkesa e popullit amerikan për ndryshime se sa për luftën në Irak. Duhet të punojmë bashkarisht me presidentin, pasi e dimë se teza e tij për t’iu përmbajtur kursit të tanishëm është e gabuar. Kjo politikë nuk e ka bërë Amerrikën më të sigurtë, nuk ka respektuar angazhimin tonë ndaj trupave amrikane dhe nuk ka sjellë qendrueshmëri në rajon. Nuk duhet të vazhdojmë në këtë rrugë katastrofike”.

Si hap të parë, Pelosi bëri thirrje për dorëheqjen e Sekretarit ë Mbrojtjes Rumsfeld - vendim të cilin Presidenti Bush e njoftoi dje. “Tani pas një serie bisedimesh të menduara mirë, Sekretari Rumsfeld dhe unë ramë dakord se ka ardhur koha për një udhëheqje të re në Pentagon. Donald Rumsfeld ka qenë drejtues i shkëlqyer gjatë kësaj kohe ndryshimesh, megjithatë ai mendon se kërkohet një udhëheqje e re në këtë periudhë kritike në luftën e Irakut”. Zoti Bush tha gjithashtu se do të punojë me demokratët mbi çështjen e Irakut, por paralajmëroi se mund të mos pranojë gjithçka. “Është tepër e rëndësishme të kuptohet se pasojat e dështimit, dhe unë jam betuar para kombit se nuk do të dështojmë. Nuk do të tërhiqemi para kryerjes së misionit dhe duket qartë se kemi shumë punë për të bërë me disa pjesëtarë të kongresit”, tha presidenti.

Por, megjithëse demokratët duket se do kontrollojnë të dyja dhomat e kongresit, është ende i paqartë ndikimi që do të kenë në çështjen e Irakut. Studiuesi i shkencave politike Dennis Johnson beson se presidentët përcaktojnë zakonisht rendin e politikës së jashtme. “Kongresit, ta themi hapur, i pëlqen të luajë me problemet, por nuk i zgjidh, sidomos kur është fjala për politikën e jashtme. Edhe pse partia e presidentit humbi dhe kemi një balancë të re në kongres, unë mendoj se presidenti përcakton politikën e jasthme”. Një komision dypartiak mbi Irakun, i udhëhequr nga ish-sekretari amerikan i shtetit, James Baker, dhe ish-ligjvënësi demokrat, Lee Hamilton, mund të hartojë një plan që do të ndiqej si nga administrata, ashtu dhe kongresi. Ata pritet ta dorëzojnë raportin e tyre në javët e ardhshme.

Ndërkohë në Bagdad, irakianët mësuan lajmet për fitoren e demoraktëve në kongresin amerikan dhe disa prej tyre thanë se shpresojnë që të zgjedhurit të përpiqen për sigurinë në Irak.

XS
SM
MD
LG