Lidhje

Presidenti Bush kërkon bashkëpunimin me demokratët për sfidat me të cilat ndeshet Amerika


Presidenti Bush u takua sot me udhëheqës të Kongresit nga Partia Demorkatike e opozitës, e cila pritet të ketë kontrollin e organit ligjvenës pas zgjedhjeve të 7 nëntorit.

Presidenti Bush tha se ai mbeti i zhgënjyer nga humbja e Partisë Republikane, por shtoi se ai e respekton votën e amerikanëve dhe i uroi demokratët për fitoren. Presidenti tha se votuesit presin që politikanët të ngrihen mbi dallimet partiake dhe ai ftoi udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Plosi dhe Steny Hoyer, për drekë në Shtëpinë e Bardhë.

“Është përgjegjësia jonë të shikojmë përtej zgjedhjeve dhe të bashkëpunojmë për sfidat me të cilat ndeshet Amerika.”

Presidenti tha se ka ende shumë punë për t’u bërë para se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar. Presidenti synon miratimin e ligjeve për buxhetin, përgjimin e terroristëve dhe formave alternative të energjisë. Presidenti po ashtu u bëri thirrje ligjvenësve të përfundojnë punën për marrëveshjen e tregëtisë së lirë me Vietnamin, si dhe për bashkëpunimin në sektorin civil të energjisë bërthamore me Indinë. Por ai theksoi se sfida më e vështirë mbetet lufta kundër terrorizmit, veçanërisht për atë që ai e cilësoi si frontin kryesor në këtë luftë, Irakun. “Ne kemi tani mbi 149 mijë ushtarë që shërbejnë në atë vend. Pavarësisht se cilës parti i përkasim, ne të gjithë, kemi përgjegjësi që trupat të kenë mjetet dhe burimet që u duhen për të kryer misionin. Unë jam i hapur për çdo ide ose propozim që do të na ndihmonte të arrinim synimet tona për të fituar ndaj terroristëve dhe që qeveria demokratike e Irakut të ketë sukses.” Iraku ishte çështje kryesore e këtyre zgjedhjeve. Shumica e amerikanëve thonë tani se vendimi i presidentit për të ndërhyrë ushtarakisht për të rrëzuar Sadam Huseinin ishte një gabim.

XS
SM
MD
LG