Lidhje

Çeku: Shtyrja apo jo e statusit të Kosovës varet nga shpallja e zgjedhjeve në Serbi


Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha sot se afati për zgjidhjen e statusit të Kosovës varet nga data e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi. Ai i bëri këto komente pas takimit me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker pas të cilit të dy zyrtarët thanë se nuk presin shumë nga mbledhja e nesërme e Grupit të Kontaktit me krye negociatorin ndërkombëtarë për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

Në takimin e nesërm, sipas zyrës së zotit Ahtisaari do të bisedohet për elementet e propozimit të tij për statusin e Kosovës i cili fillimisht është thënë se do të shpallet para fundit të këtij viti. Kryeministri i Kosovës Agim Ceku tha se nesër nuk pritet ndonjë vendim për shtyrjen apo mos shtyrjen e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

“Vendimi për shtyrjen apo mos shtyrjen do të varet nga shpallja, apo nga data e shpalljes së zgjedhjeve në Serbi, dhe mendoj se deri nesër nuk do të ketë një datë të tillë”, tha kryeministri Ceku.

As shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker nuk pret asgjë spektakolare nga takimi i nesërm, por shfaqi bindjen se krye negociatori ndërkombëtarë dhe Grupi i Kontaktit do t’u përmbahen parimeve të tyre të përcaktuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës tha se mënyra më e mirë për njohjen e pavarësisë është me një Rezolutë të Këshillit të Sigurimit, por nuk e përjashtoi mundësinë e shpalljes së saj nga Prishtina.

“Ky nuk është kërcënim. Ne këtë e shohim si mundësi. Kosova gjithsesi do të jetë shtet i pavarur. Tani është duke u diskutuar koha dhe mënyra. Ne natyrisht se e preferojmë që kjo të njihet me rezolutë të Këshillit të Sigurimit e cila do të kishte përkrahje gjithëpërfshirëse”, theksoi kryeministri Ceku.

Megjithatë, ai tërhoqi vërejtjen se çdo veprim i Prishtinës zyrtare do të jetë në harmoni me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG