Lidhje

SHBA: Demokratët, në kontroll të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit


Senatori republikan Xhorxh Allen, pranoi të enjten humbjen në shtetin e Virxhinias, në garën për një vend në Senatin amerikan, duke njohur si fitues demokratin Xhejms Ueb. Në këtë mënyrë kontrolli i Senatit i kalon Partisë Demokrate. Për herë të parë në 12 vjet demokratët do të kenë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, kur të formohet Kongresi i ri në janar të vitit të ardhëshëm.

Senatori Xhorxh Allen kishte një diferencë të ngushtë nga kandidati demokrat Xhejms Ueb, duke patur të drejtën të kërkonte një rinumërim të votave, një mundësi të cilën ai nuk e shfrytëzoi duke u shprehur se populli e kishte thënë fjalën e tij.

“Me respekt të madh për popullin e shtetit të Virxhinias dhe me një qëllim pozitiv, nuk dëshiroj një rinumërim të votave, i cili sipas mendimit tim nuk do të ndryshonte rezultatin.” - thotë ai.

Në fjalimin e tij mbi pranimin e detyrës, zoti Ueb, ish-republikan, i cili ka shërbyer si sekretar i marinës, gjatë administratës së presidentit Regan, tha se demokratët do të nxitin administratën e presidentit Bush për të ndryshuar kursin në Irak.

“Ne do të punojmë pa u lodhur për të ringjallur përgjegjësinë në politikën tonë të jashtme e cila së shpejti, sipas mendimit tim, do t'i japë një zgjidhje problemit të Irakut.”

Rezultatet e zgjedhjeve në shtetin e Virxhinias, u dhanë demokratëve jo vetëm 51 nga 100 vendet e Senatit, por kontrollin e Kongresit, për herë të parë që nga ardhja në detyrë e presidentit Bush, 6 vjet më parë.

Demokratët në Senat festuan fitoren në ndërtesën e Kapitolit, pak pasi senatori Allen pranoi humbjen dhe u zotuan se do të punojnë së bashku me republikanët dhe presidentin Bush, por duke njohur limite. Senatori Çarls Shumer, demokrat nga shteti i Nju Jorkut, thotë:

“Ne do ta kundërshtojmë presidentin kur të shikojmë gabime, por misioni ynë i vërtetë është bashkëpunimi për të ndihmuar familjet amerikane dhe vendin”.

Fitorja e demokratëve u ndihmua shumë nga pakënaqësia e publikut ndaj politikës së presidentit Bush në Irak. Ata kanë në plan të organizojnë seanca mbi vendimin e administratës për ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak, në vitin 2003.

Ndërkohë Kongresi aktual, i drejtuar nga republikanët do të mblidhet në sesionin e fundit, për t’i dhënë fund aktivitetit vjetor. Një nga temat e diskutimit do të jetë konfirmimi i ish-drejtorit të CIA-s, Robert Gejts, i cili u emërua nga presidenti Bush për të zëvendësuar sekretarin e mbrojtjes, Donald Ramsfeld. Udhëheqësit republikanë në Senat shpresojnë që ai të konfirmohet në detyrë muajin e ardhshëm.

Presidenti Bush njoftoi ditën e mërkurë dorëheqjen e sekretarit të mbrojtjes, Donald Ramsfeld, një vendim i kërkuar me kohë nga demokratët drejt ndryshimit të kursit në Irak.//lk

XS
SM
MD
LG