Lidhje

Thaçi: Kosova e pavarur, në bashkëpunim me ndërkombëtarët


Ekipi i negociuesve të Kosovës është shprehur i shqetësuar me vendimin për shtyrjen e procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, por shpreh bindjen se shtyrja nuk do të dëmtojë përmbajtjen e statusit. Anëtarët e këtij ekipi u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin procesin politik. Lidhur me vendimin e zotit Ahtisari, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë, kryetarit të Partisë Demokratike, zotin Hashim Thaçi.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi vendimi i sotëm i zotit Ahtisari ishte një vendim i pritshëm. Çfarë strategjie do të ndjekë tani udhëheqja politike në Kosovë?

Hashim Thaçi: Për vendimin e presidentit Ahtisari për shtyrjen e nxjerrjes së vendimit për statusin politik të Kosovës është folur dhe është shkruar edhe më herët por ne si politikë kosovare sot kemi shprehur keqardhjen tonë të thellë për këtë njoftim. Ky vendim është nxjerrë në konsultim me Grupin e Kontaktit por ne besojmë se në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Naton do të arrijmë që të ecim përpara dhe të arrijmë objektivin tonë, realizimin e aspiratës dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtetin e pavarur dhe sovran.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, a jeni ju i shqetësuar nga reagimi i opinionit. Si keni menduar të veproni për të menaxhuar situatën e re?

Hashim Thaçi: Njoftimi për shtyrje është një njoftim që askush nuk e ka dëshiruar por ne jemi të vendosur të punojmë seriozisht në kuptimin e mirëfilltë që zgjedhjet në Serbi të cilat i ka marrë parasysh presidenti Ahtisari për ndërrimin e periudhës kalendarike asesi nuk do të mund të ndikojë në statusin apo substancën e statusit politik të Kosovës. Pra mund të ketë ndryshim kalendarik. Por ne mund të sigurojmë dhe garantojmë për ndërtimin e Kosovës së pavarur bashkarisht edhe me komunitetin ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë grupi negociator është kritikuar edhe më parë se nuk ka qënë transparent sa duhet. Edhe për këtë rast të fundit, ndonëse një shtyrje pritej, pak është bërë nga udhëheqësit politik të Kosovës për të përgatitur opinionin. Si e shpjegoni ju këtë?

Hashim Thaçi: Mendoj që me rëndësi është që të bindet komuniteti ndërkombëtar të marrë vendimin për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës sa më shpejt që është e mundur. Këtë periudhë ne do ta shfrytëzojmë maksimalisht që të punojmë për nxjerrjen e kushtetutës të shtetit të ri të ardhshëm të Kosovës, pastaj për simbolet shtetërore, dhe të punojmë më tepër në efektivitetin për politikë të jashtme por edhe natyrisht edhe për kohën e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale vitin e ardhshëm. Të jemi të përgatitur që në momentin që nxirret vendimi që si shtet të jemi të përgatitur të funksionojmë si shtet i pavarur. Edhe në këtë rast para politikës kosovare, para qytetarëve të Kosovës shtrohen disa prioritete që janë të domosdoshme për tu respektuar dhe për të punuar bashkarisht – stabiliteti, paqja dhe siguria, uniteti shtetformues dhe efektiv, dhe vazhdimi i përkushtimeve të përbashkëta në axhendën tonë politike e mbi të gjitha, thellimi dhe besimi në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi dje, kryeministri Çeku hodhi idenë që pavarësia mund të shpallet në mënyrë të njëanëshme, nga parlamenti i Kosovës. Cili është mendimi juaj?

Hashim Thaçi: Politika kosovare duke nënkuptuar këtu edhe parlamentin, do të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur, në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe ky vendim do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve për pavarësi të plotë me Mitrovicë të bashkuar dhe sipas standarteve perendimore.

Zëri i Amerikës: Ka disa njoftime se propozimi i zotit Ahtisari do të bëhet në muajin mars, dhe se në të nuk do të përmendet fjala pavarësi. Çfarë është më shqetësuesja për ju, kohëzgjatja apo përmbajtja e propozimit?

Hashim Thaçi: Për Kosovën dhe popullin e Kosovës është me rëndësi të nxirret vendimi për shtet të pavarur dhe sovran. Me rëndësi është përmbajtja sesa periudha kalendarike. Në këtë drejtim ne po punojmë maksimalisht, i kemi marrë përgjegjësitë që na takojnë dhe kemi besim të plotë se do t’ja dalim në ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe demokratike me përkushtim të sigurtë për tu integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe Nato. Në këtë proces ne nuk jemi vetëm, nuk kemi qenë as dje vetëm dhe nuk do të jemi as nesër. Kemi angazhime dhe preokupime të përbashkëta me komunitetin ndërkombëtar. Edhe sot nuk duhet të shprehen hezitime dhe refuzime ndaj angazhimeve të komunitetit ndërkombëtar. Pavarësia e Kosovës i ka partnerët dhe miqtë e saj ndërkombëtar, por i ka dhe kundërshtarët, prandaj ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e thellë dhe të sinqertë me partnerët ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në mënyrë që të zyrtarizohet vullneti i qytetarëve dhe ndërkombëtarisht pavarësia. Pra realitetin që kemi krijuar qysh në qershor të vitit 1999. Prandaj mund të ketë dilema për kohën por asesi për vendimin, se çfarë vendimi duhet të jetë. Vendimi edhe duhet por edhe do të jetë pavarësi e plotë për Kosovën, me mbikëqyrje civile ndërkombëtare në një periudhë kalimtare dhe prezencë të theksuar të Natos.

Zëri i Amerikës: A do të ishte një variant i pranueshëm për shqiptarët, në se ajo që ata dëshirojnë, pavarësia nuk do të arrihej përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit por përmes njohjes individuale nga shtete të veçanta.

Hashim Thaçi: Shteti i ri i ardhshëm i Kosovës nuk do të jetë shtet vetëm për shqiptarët, por do të jetë shtet për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne do të punojmë të ndërtojmë demokraci të mirëfilltë. Natyrisht, përsa i përket procedimit të zyrtarizimit të pavarësisë do të kemi propozim nga presidenti Ahtisari, pastaj do të kemi diskutime dhe rezoluta që do të nxirret nga Këshilli i Sigurimit por do të vazhdojmë pastaj edhe me nxjerrjen e vendimit nga parlamenti i Kosovës dhe njohja pastaj e drejtpërdrejtë e shteteve veç e veç apo në grupe si bashkësi në raport me shtetin e ardhshëm të Kosovës. Për Kosovën është vetëm një zgjidhje, ajo zgjidhje është zgjidhja që e meritojnë qytetarët e Kosovës për ç’ka edhe kanë sakrifikuar - Kosova e pavarur dhe sovrane.

XS
SM
MD
LG