Lidhje

“Aksioni Civil” dhe “Parlamenti Studentor” protestojnë në Tiranë


Duke sfiduar shiun e ftohtë të papritur si dhe temperaturat e ulta, disa qindra qytetarë të Tiranës u mblodhën në mbrëmje për afro një orë para kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar ndaj asaj që organizatorët e quajnë “autoritarizmi i kryeministrit Sali Berisha”. “Aksioni Civil”, një organizim i ri joqeveritar, në radhët e të cilit është edhe organizata “Mjaft”, organizuan prej disa ditësh këtë protestë me shqetësimin se qeveria dhe maxhoranca po godasin lirinë e institucioneve të pavarura dhe po cënojnë parimin e ndarjes së pushteteve.

Pjesëmarrësit valvitën flamujt e bardhë të Mjaft-it poshtë dritareve të qeverisë, duke brohoritur “Liri – Demokraci”. Andrea Stefani, analist i shtypit dhe veprimtar i “Aksionit Civil” tha në tubim se kryeministri Sali Berisha po zbaton metoda të dhunshme në qeverisjen e vendit, dhe po ndërhyn me presione e shantazhe në kompetencat e pushteteve të tjera, duke u përpjekur t'i futë ato nën kontrollin e tij dhe të maxhorancës. Ai tha se “ky autoritarizëm është i papranueshëm në demokraci, në shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut”.

Ndërsa analisti tjetër i shtypit, gjithashtu një veprimtar i “Aksionit Civil”, Mustafa Nano, tha në tubim se “qeveritarët janë qeraxhinj të pushtetit, ndërsa zotët e vendit janë qytetarët”. Ai bëri thirrje institucioneve të pavarura që t'u rezistojnë presioneve të maxhorancës dhe të mbrojnë pavarësinë e tyre. “Opozita po qan pushtetin e humbur prej një viti, qeveritarët po dhunojnë institucionet, dhe në këto kushte s'mbetet tjetër vecse që vetë qytetarët të mbrojnë të drejtat dhe institucionet e tyre” - tha zoti Nano.

Erjon Velija, drejtues i Mjaft-it thotë se ky tubim synon t'i japë fund apatisë së qytetarëve kur vjen puna për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të diskutuar problemet shqetësuese për vendin. Në tubim foli edhe një përfaqësues i pensionistëve, i cili ishte mosbesues dhe i paqartë ndaj premtimeve të qeverisë për rritjen e pensioneve. Ai kërkoi një rritje reale të pensioneve, mbi bazën e indeksimit të pensioneve dhe pagave në raport me cmimet e larta të tregut. Një tjetër folëse, përfaqësuese e grave tha në tubim se qeveria duhet të punojë më shumë për vendosjen e rendit, frenimin e trafiqeve dhe kontrollin e kufijve nga kalojnë vajzat e trafikuara.

Po sot u mbajt një tjetër tubim për korrupsionin në drejtësi. Parlamenti Studentor protestoi përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi korrupsionin në sistemin gjyqësor, duke kërkuar goditje të shpejtë të korrupsionit edhe në këtë fushë. Dhjetëra të rinj dhe qytetarë të Tiranës mbanin në duar parrulla që kërkonin pastrimin e sistemit gjyqësor nga elementë të korruptuar. Përfaqësues të Parlamentit Studentor pohuan se ky tubim është i pari në një seri protestash që të rinjtë do të organizojnë gjatë një muaji përpara gjithë institucioneve të drejtësisë me qëllim që të nxitin zyrtarët që të luftojnë korrupsionin në gjykata.

Endri Shabani, drejtues i Parlamentit Studentor, tha në tubim se opinioni publik është i shqetësuar për korrupsionin në sistemin gjyqësor, i cili bën të ulet besueshëria e qytetarëve tek gjykatat. “Ne dëshirojmë që të jemi së shpejti pjesë e familjes europiane. Drejtësia duhet të jepet jo në varësi të trashësisë së kuletës, por vetëm bazuar në ligj. Gjyqtarët duhet të vendosin drejtësi në peshore dhe jo të vendosin paratë në peshoren e drejtësisë” - tha ai.

Parlamenti studentor ka organizuar krahas tubimeve në të gjithë qytetet e Shqipërisë edhe një peticion me firma të qytetarëve me kërkesën për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga persona të korruptuar. Ky peticion do t'u dërgohet presidentit Alfred Moisiu, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe parlamentit shqiptar me kërkesën për thellimin dhe shpejtimin e reformave në këtë fushë. //az//

XS
SM
MD
LG