Lidhje

Sekretarja e shtetit Rajs mbron veton amerikane ndaj rezolutës së OKB-së mbi Izraelin


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs i doli në mbrojtje vetos që i vuri Uashingtoni një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila dënonte sulmin izraelit të mërkurën në Gazë, nga i cili gjetën vdekjen 19 civilë palestinezë.

Zonja Rajs thotë se rezoluta përmban komente acaruese dhe të panevojshme, që pasqyrojnë një tendencë të njëanshme politike.

Projekt-rezoluta, e propozuar nga Katari, dënoi ofensivën ushtarake të Izraelit, në veçanti sulmin me artileri në Beit Hanun, nga i cili u vranë 19 palestinezë, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë.

Izraeli shprehu keqardhje për viktimat dhe tha se goditja e artilerisë ishte gabim i shkaktuar nga probleme teknike. Zyrtarët izraelitë thonë se predhat kishin si objektiv ekstremistët, që sulmojnë me raketa Izraelin, dhe se nuk kishte synime për të shkaktuar viktima civile.

Zyrtarët palestinezë u shprehën me indinjatë pasi Shtetet e Bashkuara i vunë veton dje një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dënimin e sulmit izraelit, që la 18 palestinezë të vrarë në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i qeverisë palestineze të kryesuar nga grupi Hamas dhe Presidenti palestinez, Mahmoud Abbaz, thanë se vetoja amerikane i njeh Izraelit të drejtën të ndërmarrë më shumë sulme ndaj popullit palestinez.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton, tha dje se ishte i shqetësuar nga projektrezoluta, të cilën ai e quajti të njëanëshme kundër Izraelit. Projektrezoluta bënte gjithashtu thirrje për ndalimin e sulmeve me raketa ndaj Izraelit.

Ushtria izraelite ka thënë se sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve palestineze me raketa. Por zyrtarët thanë se problemet teknike bënë që zjarri i artilerisë të godiste qytetin Beit Hanoun. Ata shprehen keqardhje për vdekjet e civilëve.

XS
SM
MD
LG