Lidhje

Operacion policor në Gjirokastër për të normalizuar situatën e rendit


Forca të shumta policore, përfshirë edhe një repart special të Reneas, mbështetën sot policinë e Gjirokastrës për të normalizuar situatën e rendit në këtë qytet që doli mbrëmë jashtë kontrollit.

Pas një incidenti të armatosur mes një grupi të rinjsh nga fshati Lazarat dhe një grupi tjetër nga Memaliaj , ku u vra një person dhe u plagos një tjetër, dhjetëra të rinj nga fshati Lazarat shkatërruan mbrëmë një diskotek dhe më pas i vunë asaj zjarrin. Diskoteka ndodhej në një lagje në qendër të qytetit dhe incidenti shkaktoi panik të madh tek banorët.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bajram Ibraj drejtoi një operacion për stabilizimin e situatës. Polica tha se ka arrestuar tre persona të përfshirë në incident dhe është vënë në kërkim të një personi tjetër. Policia vuri në dispozicion edhe një shpërblim financiar për informacionin që do të ndihmonte në kapjen e personit të kërkuar.

Ndërkaq drejtuesit e pushtetit vendor të Lazaratit u bënë thirrje grupeve të të rinjve nga ky fshat të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo lloj incidenti. //ze//

XS
SM
MD
LG