Lidhje

Suksesi i partneritetit transatlantik kërkon një shtysë të re


Gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20 fokusi i marrëdhënieve evropiano-amerikane ishte stabilizimi i Evropës. Tani disa ekspertë thonë se ka nevojë të ketë një motivacion të ri për vazhdimin e suksesit të këtij partneriteti.

Fundi i Luftës së Ftohtë pati edhe një domethënie tjetër: fundi i marrëdhënieve amerikano-evropiane ashtu siç i njohim ne, thotë Daniel Hamilton, drejtor i studimeve transatlantike në Universitetin Johns Hopkins.

“Gjatë Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet amerikano-evropiane ishin përqëndruar tek Evropa. Masa e suksesit në këto marrëdhënie ishte një Evropë e stabilizuar.”

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Evropa nuk ndjehej më e kërcënuar. Robert Hutchings i Universitetit Princeton thotë se edhe terrorizmi nuk perceptohej si një sfidë e madhe:

“Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara që mund të kenë reaguar në mënyrë të tepruar, shumë të nervozuar pas sulmeve të 11 shtatorit, evropianët mund të jenë më pasivë në kuptimin e seriozitetit të rrezikut dhe për sa kohë.”

Lufta në Irak shkaktoi një rënie të mbështetetje së publikut në Evropë për Presidentin Bush dhe në një valë anti-amerikanizmi. Zoti Hutchings thotë se lufta shihet si shkaku kryesor i pakënaqësisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Karen Donfild nga Fondacioni gjerman Marshall thotë se udhëheqësit amerikanë dhe evropianë kanë nxjerr mësime nga ndarja që solli lufta në Irak:

“Mendoj se mësimi që nxorën si amerikanët edhe evropianët nga përvoja e mosmarrëveshjeve të hidhura mbi luftën në Irak ishte se të dyja palët i dëmtoi rënia e mbështetjes së publikut për diçka kaq të rëndësishme si lufta dhe paqja.”

Zonja Donfield thotë se hartimi i një politike të përbashkët amerikano-evropiane mbi sfidat bërthamore me Iranin tregon dëshirën për të lënë pas mosmarrëveshjet e shkuara.

Daniel Hamilton, ish zyrtar i Departamentit të Shtetit, thotë se aleanca midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në shekullin e 20 ka qënë një nga partneritetet më të efektshme në historinë e politikës botërore. E ardhmja e këtij partneriteti do të varet nga mënyra sesi të dyja palët do të zgjidhin sfidat e ardhshme globale.

“Mendoj se sfida është në se mund të përshtatemi me marrëdhënie të reja, ku evropianët – të dobët, të çorientuar me sfidat e tyre të integrimit, të jenë në gjendje të shikojnë horizontin përtej Evropës dhe të kuptojnë këtë sfidë më të gjerë. Dhe – a janë Shtetet e Bashkuara të gatshme të pranojnë Evropën si një partnere për t’u përballur me këto sfida?”

Zoti Hamilton thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rreziqe të përbashkëta në një numër të gjerë çështjesh globale gjeopolitike. Ai thotë se sukseset në të kaluarën nuk janë garanci për marrëdhënie të mira në të ardhmen në këtë botë të re. Partnerët duhet të gjejnë hallka të reja që t’i mbajnë ata të bashkuar.

XS
SM
MD
LG