Lidhje

Çfarë duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara në Irak?


Partia Demokratike po e interpreton fitoren e javës së kaluar në zgjedhjet e Kongresit si shprehje të pakënaqësisë së poopullit amerikan me Shtëpinë e Bardhë republikane dhe luftën në Irak. Por siç njofton korrespondentja jonë Stephanie Ho nga Washingtoni, çështja më e mprehë është se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara me Irakun.

Kryetari i Partisë Demokrate, Howard Dean, tha në kanalin televiziv Fox News Sunday se amerikanët e kanë bërë të qartë se nuk duan që Shtetet e Bashkuara të qendrojnë në Irak përgjithmonë.

“Ne nuk mund të shkojmë me mentalitetin që t’i përmbahemi rrugës, të cilës i kemi hyrë. Ne duhet të largohemi nga Iraku”.

Ai tha se ligjvënësit amerikanë në Kongresin e ri të kontrolluar nga demokratët do të diskutojnë shumë skenare të ndryshme të luftës në Irak. Por ai e pranoi, se megjithatë ata duhet të bashkëpunojnë me Shtëpinë e Bardhë.

“Fakti është se Presidenti është në krye të ushtrisë dhe politikës së jashtme. Ne duhet të punojmë me Presidentin për t’u larguar nga Iraku”.

Një ditë pas zgjedhjeve të së martës, Presidenti Bush njoftoi se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld do të jepte dorëheqjen.

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Josh Bolten, i vuri theksin këtij vendimi si shembull se administrata e Presidentit Bush është e gatshme të bëjë ndryshime në kursin e saj në Irak. Ai foli lidhur me këtë çështje në programin e CNN-it “Late Editon”.

“Askush nuk mund të jetë i kënaqur me gjendjen në Irak tani. Të gjithë kanë punuar me këmbëngulje, por ajo që është bërë nuk ka dhënë rezultate, prandaj ka ardhur koha që problemi të shikohet me një sy tjetër”.

Ndërkaq, Senatori republikan John McCain, i cili ka shprehur interes për të konkuruar në zgjedhjet presidenciale të 2008s, thotë se tërhqja nga Iraku nuk përbën zgjidhje të problemit.

“Çështja është se ‘Cila është zgjidhja?’ Për mendimin tim tërheqja ose caktimi i një date për tërheqjen do ta zhytë rajonin në kaos. Shumica e ekspertëve ushtarakë mendojnë në këtë mënyrë. Besoj se ne mund të bëjmë shumë gjëra për të dalë nga situata, por të gjitha ato kërkojnë praninë e një numri më të madh trupash”.

Senatori McCain i bëri këto komente në programin “Meet the Press” të kanalit televiziv NBC. Në të njetin program, senatori Joseph Lieberman, i cili thotë se ende e mbështet partinë demokrate, edhe pse kohët e fundit u largua prej saj për konkuruar në zgjedhje si i pavarur, theksoi gjithashtu se nuk është në favor të tërheqjes.

“Në qoftë se ne largohemi nga Iraku, Irani dhe terrorisët, terrositët islamistë ekstremë, do të hynë në vend dhe do ta dominojnë atë. Atëhere, gjendja në Irak do të bëhet me të vërtetë ferr dhe do të afektojë sigurinë në gjithë Lindjene Mesme dhe në Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit islamist”.

Senatori Lieberman shtoi se suksesi në ndërtimin e një Iraku të lirë dhe të pavarur do të jetë një fitore e rëndësishme në luftën më të madhe të Shteteve të Bashkuara për të fituar mendjet dhe zemrat e botës myslimane.

XS
SM
MD
LG