Lidhje

Surroi: Kosova ka nevojë për një mesazh të qartë për statusin


Kryetari i Partisë Ora në Kosovë, Veton Surroi dhe kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi ndodhen në Uashington pas vendimit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari për të shtyrë propozimin e tij për këtë proces. Në emisionin televiziv Ditari, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë anëtarit të grupit negociator të Prishtinës, zotit Veton Surroi.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, pas njoftimit të javës së kaluar që ishte pak a shumë i pritshëm, cila është sfida kryesore me të cilën ndeshet sot klasa politike shqiptare në Kosovë?

Veton Surroi: Përsëri mbeten të njëjtat sfida, ta përmbyllim këtë proces negociator me përmbajtjen e duhur. Kjo do të thotë subjektivitet i plotë dhe sovranitet i plotë i Kosovës, do të thotë përmbyllje e kërkesës, e nevojës themeltare që ka Kosova, që të jetë pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si çdo shtet tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, a keni ju ndonjë informacion se kur mund ta paraqesë zoti Ahtisari propozimin. Grupi i Krizave kërkoi që të bëhej sa më shpejt, menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi. Nga ana tjetër ka patur spekullime në shtyp që mund të shtyhet për në muajin mars. Në takimet që zhvilloni ju, a ka ndonjë tregues se kur mund të pritet?

Veton Surroi: Unë nuk mund të komentojë për treguesit, sepse në fund të fundit ne as nuk e kemi shtyrë, as nuk mund të caktojmë datën. Çështja është kjo – ne na duhet qartësia e plotë rreth këtij statusi. Shtyrja nuk do të thotë hapja e dyerve për shtyrje të tjera, zgjerim të mëtejshëm të procesit e as interpretim të dokumentit të zotit Ahtisari. Prandaj ne na nevojitet një mesazh i qartë i bashkësisë ndërkombëtare, i Grupit të Kontaktit, lidhur me përmbajtjen dhe na nevojitet një mesazh i qartë lidhur me datën. Nuk mund të kalojmë prej jave në javë me spekullime se do të shtyhet apo nuk do të shtyhet.

Zëri i Amerikës: Sa është dëmtuar kredibiliteti i udhëheqjes politike në Kosovë?

Veton Surroi: Nuk e di. Mund të jetë dëmtuar, por në fund të fundit interpretimin rreth shtyrjes nuk e ka bërë as grupi negociator as njëri prej tyre veç e veç, ka qënë një vendim i Grupit të Kontaktit. Ky i fundit, që në këtë rast është partneri i fundit i Kosovës për përcaktimin e statusit, ka marrë një përgjegjësi të vetën.

Zëri i Amerikës: Para se zoti Ahtisari të njoftonte vendimin për shtyrjen e propozimit të tij, kishte spekullime të ndryshme lidhur me përmbajtjen që do të ketë statusi i Kosovës. Një pjesë thonë, që do të jetë një pavarësi e kufizuar, të gjitha shenjat tregojnë është krijuar një konsensus në komunitetin ndërkombëtar, gjithmonë sipas njoftimeve që kanë dalë, që Kosova do të ketë shumë të drejta, por jo të drejtën e një vendi në OKB. A do të jetë kjo diçka që ju mund ta pranoni?

Veton Surroi: Përpjekja jonë është që Kosova të jetë shtet me subjetivitet të plotë ndërkombëtar, që nënkupton edhe të drejtën e anëtarësimit në OKB. Ne kemi hyrë në një proces, i cili ka qënë i kushtëzuar që nga fillimi. Do të ketë një prani ushtarake ndërkombëtare, do të ketë prani civile ndërkombëtare. Por nuk ka qënë kushtëzim, e as që mund të jetë kushtëzim në këtë proces negociator, që Kosova të pranojë një formë të shtetësisë, e cila nuk i jep të drejtën që të jetë aktor i barabartë kontraktues në bashkësinë ndërkombëtare. Mos harroni, përshembull në Bashkimin Evropian nuk mund të ecim asnjë hap më tutje në reformat tona karshi BE-së, pa u përcaktuar qartë statusi ynë si shtet, si partner, si subjekt, i cili komunikon me Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, a do të ishte e pranueshme në se vendi i Kosovës në OKB si shtet më vete do të kalonte nëpërmjet disa fazave, të mos ishte i menjëhershëm. A është kjo një zgjidhje e pranueshme?

Veton Surroi: Ekzistojnë pak a shumë dy forma të aplikueshme deri më sot në shpërbërjen e ish Jugosllavisë – njëri është kandidimi automatik nëpërmjet Këshillit të Sigurimit e tjetri është proces i njohjes. Në të dyja rastet ekziston njohja si kategori, domethënë njohja individuale, sepse pranimi në OKB ka një mekanizëm të vetin. Njohja e subjektivitetit shtetëror është një proces bilateral. Ne do të ballafaqohemi me të dyja sfidat, që të dyja do të jenë të rënda dhe për të dyja duhet punuar.

Zëri i Amerikës: A ka ndryshuar dinamika mes forcave politike vetë brenda në Kosovë, që pas vendimit të zotit Ahtisari? Veton Surroi: Nuk mund të them se ka ndryshuar, pasi është kohë shumë e shkurtër...

Zëri i Amerikës: .. i referohem një thirrjeje që partia juaj bashkë me Partinë Demokratike lëshuan të nesërmen e ditës së vendimit të zotit Ahtisari, ku kërkuan që një sërë çështjesh thelbësore si kushtetuta, ose simbolet e Kosovës, duhet të kalojnë më parë në grupin e unitetit dhe jo përmes institucioneve të tjera të Kosovës, pra grupi i unitetit të luajë një rol kryesor. Në çfarë raporti do ta vinte kjo strategji grupin me institucionet e tjera, qeverinë, parlamentin?

Veton Surroi: Ideja ka qënë kjo, unë shkrova një letër fillimisht që nuk kishte lidhje me deklarimin e zotit Ahtisari, as të Grupit të Kontaktit, në të cilën sugjerova që disa nga këto tema të jenë pjesë të ndërtimit të ri të konsensusit në grupin e unitetit. Meqënëse çështja e përcaktimit të statusit nuk mund të shkojë ndaras nga çështje të tjera, përshembull përcaktimi i simboleve shtetërore, kushtetuta, etj., por është pjesë e një pakoje të përgjithshme, atëherë sugjerova, që për t’u shpërtuar mosmarrëveshjeve eventuale, apo ndasive eventuale, që mund të krijohen, duhet të krijojmë këto pika të cilat krijojnë unitet, krijojnë konsensus. Unë mendoj se kjo nuk i ve anash insitucionet, por thjesht e dinamizon punën dhe unifikon punën në nivel politik, në mënyrë që në momentin kur arrijnë në parlament këto çështje ta kenë konsolidimin, përkrahjen politike me të cilën do të krijohej një procedurë më e përshpejtuar në parlament.

Zëri i Amerikës: A keni marrë ndonjë përgjigje deri më sot për këtë nismë?

Veton Surroi: Ne shpresojmë që të ulemi me të kthyer nga Shtetet e Bashkuara, të ulemi të bisedojmë dhe të përcaktojmë se cilat janë ato kahje të mëtutjeshme.

Zëri i Amerikës: Edhe më parë ju e keni ngritur çështjen e simboleve. A është vonë Kosova me përcaktimin e simboleve, pasi statusi, është çështje muajsh, ai do të përcaktohet. Ku është gjendja me përcaktimin e simboleve të Kosovës?

Veton Surroi: Po ne duhet të fillojmë me procedurën. Askush nuk mund të përcaktojë se cili do të jetë simboli shtetëror i Kosovës, por ne mund të përcaktojmë procedurën, sipas të cilës do të sjellim ekspertizë, e cila do të formojë një komision dhe nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar do të zgjedhim sugjerimin më të mirë për flamurin, stemën e të tjera, që do të jenë të ndryshme nga flamuri kombëtar. Në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë nuk mund të përsërisim, të përpiqemi të instrumentalizojmë flamurin kombëtar. Kërkojmë që të kemi flamur kombëtar por edhe shtetëror.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre ditëve ju do të takoheni edhe me zyrtarë amerikanë. Cili është mesazhi juaj, çfarë do të kërkoni?

Veton Surroi: Mesazhi është ky: na nevojitet qartësia, si qartësia kohore edhe qartësia e përmbajtjes. Së dyti na nevojitet një sqarim i përpiktë lidhur me çështjen e tërësisë tokësore të Kosovës, do të thotë të veriut, dhe paralajmërimeve që ekzistojnë gjithmonë nga veriu i Kosovës, nga forcat ektremiste atje, për një skenar shkëputje dhe natyrisht për format e mëtutjeshme të veprimit në partneritet, në mënyrë që të shpejtojmë këtë proces, sepse fundi i fundit, nga të gjitha këto takime që na presin në të ardhmen ne e kemi dhe një axhentë tonën të brendëshme, që duhet ta shpejtojmë dhe ky është shpejtimi i tranzicionit drejt shtetit të pavarur dhe krijimit të institucioneve të shtetit të pavarur.

XS
SM
MD
LG