Lidhje

Nderim për udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King


Presidenti Bush dhe ish presidenti Bill Klinton nderuan sot trashëgiminë e udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King i Riu, ndërkohë që mijëra njerëz u mblodhën për ceremoninë e fillimit të ndërtimit të monumentit përkujtimor të zotit King në Uashington.

Presidenti Bush tha se monumenti i jep Martin Luter Kingut vendin që i takon mes amerikanëve të mëdhenj. Ndërsa ish presidenti Klinton vlerësoi këmbënguljen e zotit King për protesta jo-të dhunshme si një nxitje e fuqishme për ndryshim.

Monumenti, i cili do të përfundohet në vitin 2008, do të vendoset pranë vendit ku Dr. King mbajti fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr” para aktivistëve të të drejtave të njeriut të mbledhur në Uashington në vitin 1963. Ky do të jetë monumenti i parë për nder të një afrikano-amerikani që vendoset në Lulishten kryesore të Uashingtonit.

Lulishtja e Uashingtonit është katër kilometra e gjatë dhe ndodhet në qendër të kryeqytetit të vendit. Ajo është e mbushur me muzeume dhe monumente në kujtim të ngjarjeve dhe udhëheqësve të mëdhenj të historisë amerikane. Një veprimtare e të drejtave civile vuri në dukje se monumenti i Martin Luter Kingut është i pazakontë sepse përkujton paqen dhe jo luftën.//lk

XS
SM
MD
LG