Lidhje

Memoriali për nder të Dr. Martin Luther Kingut


Presidentë, udhëheqës të të drejtave civile dhe personalitete të tjera të shquara amerikane u mblodhën dje në Parkun Kombëtare këtu në Washington për të përuruar punimet për ngritjen e një memoriali për të kujtuar udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King.

Në ceremoni pati lutje, këngë dhe festime ndërsa mijëra amerikanë u grumbulluan për të kujtuar dhe reflektuar mbi jetën dhe trashëgiminë e Dr. Martin Luther Kingut. Martin Luther Kingu ishte një prift baptist i cili luftoi për të drejta të barabarta për afrikano-amerikanët përmes rrugëve jo të dhunshme në vitet 1950 dhe 1960 gjatë kohës së ndarjes së institucionalizuar raciale. Ai u vra në vitin 1968.

Memoriali ishte menduar të ndërtohej gati një dekadë më parë. Ish presidenti Klinton nënshkroi ligjin e parë që propozonte ndërtimin e tij në vitin 1996. Në vitin 2000 u zgjodh projekti. Arkitektë nga 52 vende dhanë idetë e tyre. Memoriali do të ndërtohet në afërsi të Memorialit të Linkolnit, ku Martin Luther Kingu mbajti fjalimin e tij të famshëm “Kam një Ëndërr” gjatë një demonstrate masive për të drejtat civile në vitin 1963.

Presidenti Bush u shoqërua nga ish presidenti Bill Klinton dhe të ftuar të tjerë si kryetari i bashkisë së Washingtonit Anthony Williams, poetja Maya Angelou, veprimtarët Jesse Jackson dhe Al Sharpton. Presidenti Bush tha se memoriali do t’i japë Dr. Kingut vendin e tij të merituar midis amerikanëve më të nderuar në Parkun Kombëtar. "Memoriali i Kingut do të zerë vendin midis memorialeve të Jeffersonit dhe Linkolnit. Prania e tij në këtë vend do të bashkojë atë që është simboli i premtimit të Amerikës, me atë që e mbrojti këtë premtim, dhe atë që e realizoi premtimin e Amerikës".

Në fakt zoti King do të jetë udhëheqësi i parë afrikano-amerikan që do të nderohet në Park. Në fjalimin e tij Presidenti Klinton tha se mësimet e Martin Luther Kingut janë ende të zbatueshme në konfliktet e sotme në botë. "Kur beteja e vërtetë është zemra njerëzore, mosbindja civile funksionon më mirë sesa vetvrasjet me bombë. Të luftosh kundërshtarin me respekt dhe arsye funksionon më mirë sesa shpifjet dhe sulmet", tha ish presidenti Klinton.

Memoriali do të përdorë elementë natyral – ujin, gurët dhe pemët për të dhënë idenë e drejtësisë, demokracisë dhe shpresës. Citate nga fjalimet e Dr. Kingut do të gdhenden në mure dhe do të ketë pasazhe për nder të njerëzve të tjerë që dhanë jetën e tyre për lëvizjen e të drejtave civile. Gazetarja Oprah Winfrey e quajti memorialin një simbol për brezat e shkuar dhe të ardhshëm. "Duke hapur themelet e këtij memoriali sot, po i japim një dhuratë brezave të shkuar dhe të ardhshëm. Ne nderojmë Martin Luther Kingun dhe të gjitha ata që punuan dhe luftuan me të për kauzën e dinjitetin njerëzor dhe atë të lirisë. U japim një dhuratë edhe brezave që do të vijnë pas nesh".

Fondacioni i Memorialit ka grumbulluar 69 milion dollarë nga 100 milionët e nevojshëm për të ndërtuar dhe mirëmbajtur memorialin. Ai pritet të përfundojë në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG