Lidhje

Shqipëria i quan të rrezikshme vonesat në zgjidhjen e statusit të Kosovës


Qeveria shqiptare shprehu shqetësim të martën, duke i quajtur "të rrezikshme vonesat" në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës dhe u bëri thirrje Grupit të Kontaktit dhe Bashkimit Europian që të respektojnë kufijtë e Ballkanit dhe të Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi në Tiranë se çdo projekt për ndarjen e Kosovës është tërësisht i papranueshëm. Ai tha se "në këto vonesa, rreziqet janë të mëdha sepse në Beograd mbizotëron fantazma e Serbisë së Madhe dhe si alternativë e dytë për ta është ndarja e Kosovës". Sipas zotit Berisha, "ideja për ndarjen e Kosovës, ndarja e një vendi me 90 për qind shqiptarë dhe 10 për qind minoritete është tepër e rrezikshme, sepse jep përshtypjen e gabuar që në Ballkan mund të funksionojnë vetëm shtetet etnikisht të pastra". "Ne e kemi pranuar dhe kemi përshëndetur respektimin e kufijve ndërkombëtarë, por nëqoftëse mendohen operacione të tjera kirurgjikale mbi shqiptarët, ky është opcion jashtëzakonisht i gabuar" - tha zoti Berisha.

Tirana zyrtare përshëndeti kërkesën e SHBA dhe BE që raporti i zotit Marti Ahtisari për statusin përfundimtar të Kosovës të paraqitej brenda fundit të muajit janar. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se zvarritja e mëtejshme e statusit përfundimtar të Kosovës ndërlikon në një nivel tepër delikat situatën dhe stabiltetin e Kosovës e të rajonit. "Kosova e pavarur, e lirë dhe demokratike, është kushti për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë. I bëj thirrje Grupit të Kontaktit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian të qëndrojnë me vendosmëri në respektimin e plotë të kufijve aktualë ndërkombëtarë të Ballkanit, përfshi këtu kufijtë e Kosovës" - tha ai.

Zoti Berisha i bëri thirrje edhe grupti negociator të Kosovës që të qëndrojnë të bashkuar në përpjekjet për realizimin e aspiratës së popullit të tyre. "Beogradi me referendumin për kushtetutën dha në mënyrë të qartë përgjigjen e tij përfundimtare për problemin e Kosovës dhe të statusit të saj përfundimtar, duke kthyer në iluzion të rrezikshëm çdo mendim se nga ai kryeqytet do të ketë ndonjë përgjigje tjetër" - theksoi kryeministri shqiptar.

XS
SM
MD
LG