Lidhje

Socialistët gati me ndryshimet për kodin zgjedhor


Në Shqipëri socialistët deklaruan sot se propozimet e tyre për ndryshimet në kodin zgjedhor do t’i paraqesin për diskutim në seancën parlamentare për të dëshmuar sipas tyre vullnetin për të zhbllokuar procesin. E majta është akuzuar vazhdimisht nga shumica në pushtet se kërkon të pengojë përgatitjet zgjedhore. Sot nënkryetari i parlamentit Fatos Beja tha se në kushtet kur nuk gjendet konsensusi atëherë do të përdoret kodi aktual.

Praktikisht çështja e reformës zgjedhore vazhdon të mbetet në një krizë e cila vetëm thellohet me ngushtimin e kohës së mbetur për shpalljen nga presidenti të ditës për votim. Të dyja palët flasin për nevojën e vullnetit për realizimin e reformës dhe gatishmërinë e tyre për ta bërë këtë sa më shpejt, por njëkohsisht ato i janë futur një loje të pakuptimtë akuzash të ndërsjella për t’ia hedhur fajin njëra tjetrës.

Socialistët të sulmuar në mënyrë të përsëritur se po bëhen pengesë për procesin e reformës, tashmë kur është mbyllur dhe afati i komisionit të posacëm parlamentar, kanë vendosur, sic njoftoi dhe bashkëkryetari i komisioni Ben Blushi, ti paraqesin propozimet e tyre në kuvend: "Në kushtet kur nuk është gjetur konsensusi në komisionin e refromës zgjedhore, dhe kur mesa duket nuk ka më nevojë për të shtyr mandatin sepse sinjalet janë të qarta që edhe nëse shtyhet nuk do të ketë progres, kemi vendosur që gati 40 amendamente që kemi paraqitur në këtë komision tja pèropozojmë kuvendit në seancë plenare me shpresë se qeveria do të bëjë prapaktheu për të zhbllokuar një proces zgjdhor i cili ëhstë i bllokuar dhe praktikisht jemi në kushtet kur në shqipëri nuk mund të mbahen zgjedhje dhe kjo është e padiskutueshme", tha zoti Blushi.

Por janë pikërisht këto propozime të cilat janë kundërshtuar në Komision, dhe mosmarrëveshjet për to që e kanë mbajtur pezull reformën. Për këtë arsye duket e pamundur që të ketë një konsensus, pa të cilin nuk mund të ketë ndërhyrje në kod.

Në një situatë të tillë shumica në pushtet, sic rikonfirmoi edhe sot nënkryetari i parlamentit Fatos Beja, do të veprojë mbi kodin aktual: "Për fat të keq opinioni publik ka parë që opozita nuk ka dëshmuar dëshirën për të realizuar marrëveshjen. Ndërsa ne si mazhorancë jemi përpjekur që të realizojmë ato detyrime që rridhnin nga marrëveshja e mund të realizoheshin vetëm nga mazhoranca. As kushtetuta as kodi nuk ndryshojnë nëse opozita nuk voton për to dhe në këto kushte do të zbatohet kodi dhe ligji në fuqi", tha zoti Beja.

Ajo që mbetet e paqartë në këtë vendim të shumicës është fakti se kodi aktual është thuajse jashtë loje në këtë fazë kur vetëm dy muaj ndajnë nga afati maksimal për mbajtjen e zgjedhjeve. Kodi ekzistues përmban specifikime kohore për realizimin e shumë elementëve të përgatitjes së zgjedhjeve, të cilët janë tejkaluar prej kohësh. Shpresa e fundit është arritja e një marrëveshjeje në ditët e mbetura deri në fund të këtij muaji, para se presidenti Alfred Moisiu të shpallë datën.

XS
SM
MD
LG