Lidhje

Presidenti Bush premton vazhdimin e angazhimit amerikan në Azi


Presidenti Bush filloi turneun e tij në Azinë juglindore me premtimin se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në rajon për të ndihmuar në shtimin e begatisë dhe të sigurisë atje.

Zoti Bush mbajti sot një fjalim në Universitetin Kombëtar të Singaporit. Ai tha se interesat e Amerikës varen nga zgjerimi i lirisë dhe i mundësive kudo në rajonin e Azi-Paqësorit. Ai deklaroi se angazhimi amerikan në rajon do të bazohet te partneriteti dhe jo te ndërhyrja. Singapori është ndalesa e parë e Presidentit Bush në turneun e tij 8 ditësh në tre vende të rajonit.

Ndalesa tjetër e tij do të jetë Vietnami, ku ai do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të APEK-ut, organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik në Azi-Paqësor. Në fjalimin e sotëm, Presidenti Bush u bëri thirrje qeverive të APEK-ut të ndihmojnë për rifillimin e bisedimeve rreth tregtisë globale dhe të shikojnë mundësinë e krijimit të një zone të tregtisë së lirë për Azi-Paqësorin. Ai tha gjithashtu se Koreja e Veriut është një ndër kërcënimet më të mëdha me të cilat përballet rajoni. Presidenti Bush u kërkoi udhëheqsve rajonalë t’ia bëjnë të qartë Penianit se ai nuk do të lejohet të transferojë armë bërthamore në duart e regjimeve armiqësore ose të organizatave terroriste.

XS
SM
MD
LG