Lidhje

UNICEF: Vazhdon trafikimi i fëmijëve rumunë


Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, thotë se nuk është bërë sa duhet për të ndaluar shfrytëzimin seksual të mijëra grave dhe fëmijëve rumunë në vendet evropiane. UNICEF-i paralajmëron se ky problem mund të përkeqësohet kur Rumania të anëtarësohet në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm.

Gjendja shoqërore dhe ekonomike e Rumanisë është përmirësuar që kur udhëheqësi komunist Nikolai Çaushesku u përmbys nga pushteti dhe u vra me anë të revolucionit në dhjetior të vitit 1989. Por Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, thotë se nuk është bërë sa duhet për të ndaluar shumë qytetarë që të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Rumani, Pier Popard, thotë se 16 vjet pas revolucionit, rreth 20 përqind e fëmijëve rumunë jetojnë nën nivelin e varfërisë. Ai thotë se shpesh këta të rinj pa përvojë bien pre e trafikantëve.

“Varfëria dhe papunësia në Rumani nuk ka dyshim që i bëjnë të rinjtë të largohen nga vendi. Dhe vendet ku ata shkojnë janë Spanja, Italia, Franca, por edhe Britania e Serbia, ku vajza të reja bien pre e një rrjeti trafiku të prostitucionit.”

Vitin e kaluar, më shumë se 2 mijë e 500 viktima të trafikut u regjistruan zyrtarisht, mes tyre 366 ishin fëmijë. Por përfaqësuesi i UNICEF-it në Rumani, Pier Popard, thotë se këto shifra as që i afrohen realitetit. Ai thotë se numri i grave dhe fëmijëve që trafikohen në vende evropiane dhe shiten në prostitucion është shumë më i lartë.

Si pjesë e përpjekjeve të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Rumania miratoi disa ligje kundër trafikimit dhe mori masa të tjera për të mbrojtur fëmijët. Por zoti Popard thotë se këto ligje nuk janë mjaft të fortë për të shkurajuar personat e angazhuar në trafikimin e qënieve njerzore.

Ai shpreh shqetësim të madh se në disa aspekte gjendja për Rumaninë do të përkeqësohet pasi ajo të anëtarësohet në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm.

“Rumania do të ketë një prej kufijve të jashtëm më të gjatë të Bashkimit Evropian, më shumë se 2 mijë kilometra. Serbia, Ukraina, Moldavia janë vende tashmë burimi të trafikimit dhe Rumania do të jetë një vend trazit. Rumania do të jetë pa dyshim edhe një vend burimi për trafikimin, por edhe tërheqës i tij. Sapo Rumania të bëhet pjesë e grupit Shengen pas disa vjetësh pa dyshim që do të marë hov trafikimi i qënieve njerzore.”

Zoti Popard vë gjithashtu në dukje se sapo Rumania të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian nuk do të jetë më i pranishëm në atë vend për të vëzhguar zhvillimet në vend. Ai thotë se agjenci ndihmash të Kombeve të Bashkuara, duke punuar me organizata të pavarura, do të marin përsipër këto funksione vëzhguese. Ai thotë se këto organizata duhet të marrin masat e duhura për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të fëmijëve. //ze//

XS
SM
MD
LG