Lidhje

Di Karlo: Shtyrja në procesin e statusit është shumë e shkurtër

  • Intervistoi Ikonomi

Një zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit e quajti “shumë të shkurtër” shtyrjen e shpallur nga kryenegociatori Marti Ahtisari për paraqitjen e propozimit të tij mbi statusin e Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rozmari Di Karlo, Zëvendës-ndihmës sekretare në Zyrën për çështjet evropiane dhe euroaziatike, tha gjithashtu se një ndarje e Kosovës nuk do të ishte në interes të qendrueshmërisë në rajon.

Zëri i Amerikës: A e shihni shtyrjen e tanishme në procesin për statusin si një shkelje të premtimit të bërë nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos nga Shtetet e Bashkuara për ta mbyllur procesin brenda vitit 2006?

Rosemary DiCarlo: Më lejoni të them në fillim se ne e mbështetëm vendimin e Presidentit Ahtisari për t’ua paraqitur palëve pa vonesë propozimin e tij pas zgjedhjeve të Serbisë në janar. Rreth një vit më parë, Grupi i Kontaktit përcaktoi vitin 2006 si objektivin brenda të cilit do të përfundohej procesi. Ne deklaruam shumë qartë se shpresonim që deri në fund të vitit të arrihej një zgjidhje me bisedime. Ne i kuptojmë plotësisht arësyet e Presidentit Ahtisari për këtë shtyrje shumë të shkurtër.

Zëri i Amerikës: Disa udhëheqës shqiptarë janë të shqetësuar se vendimi i tanishëm i zotit Ahtisari mund të çojë në shtyrje të tjera gjë që mund të shoqërohet me shumë rreziqe. A jeni edhe ju e shqetësuar?

Rosemary DiCarlo: Dëshiroj t’ju siguroj juve dhe popullin e Kosovës se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për ta përmbyllur këtë proces dhe për ta përmbyllur shumë shpejt. Mendoj se ka ardhur koha që populli i Kosovës të jetë i qartë për të ardhmen e tij.

Zëri i Amerikës: Kur mund të shpresohet që zoti Ahtisari t’i paraqesë propozimet e tij? Mund të na jepni një kornizë kohore?

Rosemary DiCarlo: Me sa di unë, Presidenti Ahtisari do t’u drejtohet palëve shumë shpejt, ose menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare serbe të 21 janarit. Sapo zgjedhjet të jenë certifikuar, ai ka në plan të shkojë në Beograd dhe në Prishtinë për të paraqitur propozimet e tij për zgjidhjen përfundimtare të statusit.

Zëri i Amerikës: Disa analistë e shohin stabilitetin e tanishëm në Kosovë si rrjedhojë e shpresave të mëdha të krijuara tek shqiptarët se në fund të procesit ata do të marrin pavarësinë. Cili është vlerësimi juaj?

Rosemary DiCarlo: Mendoj se tani ekziston një qendrim mjaft i mirë dhe i arësyeshëm i udhëheqësve kosovarë për çështjen e statusit dhe për këtë shtyrje të shkurtër. Mendoj se ata e kuptojnë shumë qartë se nëse dëshirojnë të realizojnë aspiratat e tyre, ata duhet të bëjnë disa gjëra për të siguruar komunitetin ndërkombëtar se janë seriozë për çështjen e një shoqërie shumëetnike, për një shoqëri demokratike dhe për marrëdhënie të mira me fqinjët.

Zëri i Amerikës: Kur Shtetet e Bashkuara flasin për një zgjidhje të pranueshme nga shumica në Kosovë, kjo përkthehet nga shqiptarët si pavarësi e plotë. Jeni e shqetësuar se çdo zgjidhje e ndryshme nga pavarësia do të shkaktonte zhgënjim të madh te shqiptarët?

Rosemary DiCarlo: Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm ato por edhe Grupi i Kontaktit, e kanë bërë të qartë se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës. Ne kemi nevojë për një zgjidhje që të jetë realiste dhe që të nxisë qendrueshmërinë në rajon.

Zëri i Amerikës: A po ndërmerr hapa diplomacia amerikane për të punuar me Rusinë e cila mund ta bllokojë ose ta zbutë një vendim për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, tani që po bëhet e qartë se zgjidhja do të duhet t’u imponohet palëve?

Rosemary DiCarlo: Së pari ne punojmë shumë nga afër me Rusinë për çështje që lidhen me rajonin e Ballkanin. Për disa vite me radhë, Rusia ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e Grupit të Kontaktit. Rusia gjithnjë ka qenë një pjesmarrëse aktive në këto takime dhe në bisedat telefonike brenda Grupit të Kontaktit. Ajo i ka nënshkruar të gjitha deklaratat e Grupit të Kontaktit të bëra gjatë këtij një viti e gjysmë.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara janë shprehur se populli i Kosovës ka të drejtën të jetë i qartë për të ardhmen e tij. Por ka zëra që thonë se për të akomoduar Rusinë, Këshilli i Sigurimit mund të dalë me një rezolutë që nuk është sa duhet e qartë dhe e fortë. Cili është komneti juaj?

Rosemary DiCarlo: Së pari, ende nuk kemi arritur në fazën e Këshillit të Sigurimit. Tani për tani ne po punojmë për të mbështetur Presidentin Ahtisari në përpjekjet e tij për të formuluar propozime që do të ishin të favorshme për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për Kosovën ose për Serbinë. Ne po punojmë nga afër me zyrtarët e Kosovës për çështjen e zbatimit të standardeve, po punojmë edhe me Serbinë. Shtetet e Bashkuara punojnë me Serbinë për një sërë programesh dypalëshe. Ne dëshirojmë shumë që Serbia të ketë sukses, që ajo të ecë në rrugën evropiane. Nuk do të dëshiroja të shprehja hamendje për hapat e Këshillit të Sigurimit në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ka një ndarje defakto të zonave veriore nga kontrolli i Prishtinës dhe ai ndërkombëtar. Deri tani, nuk kemi parë veprime të forta për të forcuar kontrollin atje dhe për të ulur ndikimin e Beogradit. A mos po shkon Kosova drejt një ndarjeje? Pse ndarja është përjashtuar si skenar i mundshëm?

Rosemary DiCarlo: Grupi i Kontaktit e ka thënë që në fillim, para më shumë se një viti, se ne nuk do të mbështesnin asnjë ndarje të Kosovës. Ne nuk mendojmë se ndarja do të ishte në interes të rajonit dhe të qendrueshmërisë afatgjatë. Për sa i përket Kosovës veriore, unë kam bërë atje disa vizita dhe jam shumë e kënaqur të konstatoj se ne kemi tani shumë më tepër ndërveprim me zyrtarët vendorë, po punojmë me ta për një numër projektesh. Jemi përpjekur t’u shpjegojmë atyre se ata kanë një të ardhme në Kosovë, se komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar për të siguruar se të drejtat e të gjithë popullit të Kosovës do të mbrohen, se serbët e Kosovës dhe pakicat e atjeshme do të kenë një jetë të sigurt dhe mundësi për një jetë të begatë. Shumë nga marrëveshjet për të cilat po punon zoti Ahtisari do t’i ndihmojnë ata, së pari duke u dhënë atyre autonominë e duhur në komunitetet e tyre që ata të kenë më shumë zë për të ardhmen e tyre – dhe këtu e kam fjalën për projektin e decentralizimit rreth të cilit po punon zoti Ahtisari. Në propozimet për zgjidhjen e statusit do të ketë patjetër klauzola për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, klauzola për statusin e kishave dhe të objekteve kulturore. Komuniteti ndërkombëtar do të marrë masa për të garantuar se çdo marrëveshje që do të arrihet do të vihet në jetë siç duhet.//ii

XS
SM
MD
LG