Lidhje

Shqipëria përgatitet për takimin e Rigës


Në Shqipëria qeveria organizoi sot një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Natos në Tiranë në prag të takimit të nivelit të lartë të Aleancës së Atlantikut që do të mbahet në Rigë.

Kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi vendosmërinë e vendit të tij për të rritur pjesmarrjen në Afganistan, në operacionet e Natos si dhe për të dërguar trupa në Liban. Ai kërkoi prej ambasadorëve dërgimin e sa më shumë vëzhguesve për zgjedhjet vendore.

Presidenti Moisiu ka njoftuar ndërkohë se zgjedhjet do të mbahen në javën e dytë ose të tretë të janarit Takimi i nivelit të lartë të Rigës nuk do të diskutojë temën e zgjerimit të Aleancës me anëtarë të rinj, ndonëse një deklaratë e para disa javëve e presidentit Amerikan Bush se do të bënte thirrje që të kishte një ftesë për Kroacinë krijoi jo pak shqetësim në Tiranë. Anëtarësimi në Nato ka qenë dhe mbetet një ndër objektiva kryesor të qeverive shqiptare.

Sot kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të Natos në Tiranë tha se Shqipëria do të bëjë gjithshka për të përmbushur reformat e nevojshme në mënyrë që në takimin e ardhshëm për zgjerimin që do të mbahet në Uashington të meritojë ftesën për tu bërë anëtare e Aleancës. Për këtë arsye qeveria ka parashikuar që brenda vitit 2008 ta cojë buxhetin për ushtrinë në nivelin e 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, një nga kriteret e detyrueshme për të gjitha vendet anëtare.

Shqipëria duket se kërkon të fitojë sa më shumë besimin e Aleancës duke kërkuar rritjen e pjesmarrjes dhe angazhimit të saj në misionet ndërkombëtare ushtarake. "Shqipëria është e vendosur të konsiderojë zgjerimin e pjesëmarrjes së saj në Afganistan - tha kryeministri Berisha - dhe po diskuton me vendet partnere pjesëmarrjen e saj në Liban. Gjithashtu jemi të mendimit se në kuadër të Kartës së Adriatikut 3, siç kemi bashkëpunuar dhe jemi shpalosur gjer më sot në Kabul, ka ardhur koha të rikonsiderojmë sërish rritjen tonë në operacionet e NATO-s dhe vendeve partnere"

Por qeveria e ka mjaft të qartë se nuk nevojiten vetëm përmbushja e standarteve ushtarak por dhe dhe i atyre ekonomike e politike, ku vecanërisht problematike për vendin është cështja e zgjedhjeve që nuk janë mundur të kryehen në përputhje me normat ndërkombëtare. Kryeministri kërkoi sot një prani sa më të madhe vëzhguesish të huaj në zgjedhjet e ardhshme vendore: "Do të bëjmë çdo përpjekje që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Zotërinj ambasadorë, shfrytëzoj rastin, t’ju bëj thirrje të inkurajoni vendet tuaja që të vijnë sa më shumë vëzhgues për të monitoruar procesin e zgjedhjeve, të gjitha veprimet e qeverisë dhe angazhimin e saj për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, ashtu si edhe procesin në tërësi". Por si asnjëherë tjetër mbajtja e këtyre zgjedhjeve shfaqet tepër kritike për shkak të mungesës se reformës së nevojshme. Prsidenti Alfred Moisiu në takimet me partitë politike ka njoftuar se do të vendosë për javën dytë dhe të tretë të janarit, përsa kohë nuk ka një marrëveshje për shtyrjen e datës.

XS
SM
MD
LG