Lidhje

Shqipëri: Forum i ministrave të Ballkanit


Në Shqipëri u mbajt sot forumi mes ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme të Ballkanit dhe Bashkimit Europian. Temat e diskutuara në takim ishin ato që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kundër trafiqeve të qënieve njerëzore dhe drogës dhe dhe mirëmenaxhimin e kufijve. Në takim mori pjesë dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Europian dhe Komisioneri për Drejtësinë dhe Sigurinë Franco Frattini. Ai deklaroi në përfundim të një takimi me kryeministrin Sali Berisha nevojën për pavarësinë e sistemit gjyqësor nga njëra anë si dhe llogaridhënia e tyre nga ana tjetër duke deklaruar se askush nuk mund të dalë mbi ligjin.

Është hera e parë që ky forum i përvitshëm organizohet në një nga vendet e ballkanit perëndimor. Ai u zhvillua pak kohë pas prezantimit të raportit mbi përparimin e vendeve të ballkanit në rrugën e integrimit.

Në takim morën pjesë përfaqësues të 6 vendeve ballkanike si dhe përfaqësues nga Kosova. Dikutimet u përqëndruan në punën e bërë nga vendet e rajonit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, dhe trafikimit të qënieve njerëzore si dhe menaxhimin e kufijve. Krimi i organizuar dhe korrupsioni konsiderohen nga Bashkimi europian si pengesat bazë për stabilitetin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të rajonit të Ballkanit, i cili vlerësohet të jetë një ndër rrugët kyçe të trafikimit të heroinës nga Azia në Europë si dhe një rajon për tranzite dhe origjinë për emigracionin ilegal.

Takimi, por edhe komisioneri europian Franco Frattini, vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në këto fusha por theksi u vu në nevojën e përmirësimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme duke nënvizuar kërkesën për rezultatet të mëtejshme konkrete. Në takim u theksua gjithashtu nevoja për të përmirësuar bashkëpunimin mes policisë dhe gjyqësorit apo dhe përpjekje më të mëdha për të luftuar nivelin e lartë të korrupsionit. Cështjet që lidhen me gjyqësorin dhe drejtësinë shqiptare ishin ndër pikat e e diskutuara gjatë mes zotit Fratini dhe kryeministrit Berisha. Siç dihet qeveria fajëson sistemin gjyqësor për mungesë lufte kundër korrupsionit duke drejtuar gishtin si mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë ashtu dhe ndaj prokurorit të përgjithshëm Sollaku për të cilin kryeministri tha sërish sot se “ai po krijon vështirësi serioze me interpretimet që iu bën konventave ndërkombëtare, me lidhjet e tij dhe mosndëshkimin të shumë rasteve të implikuara në akte mdhore koruupsioni dhe lidhje të krimit të organizuar”. Zoti Frattini u shpreh për rëndësinë e zbatimit të parimit të shtetit ligjor duke shtuar se “një kollonë strategjike e kësaj fushe është pavarësia e gjykatësve dhe prokurorëve gjë që - shpjegoi ai - nënkupton mbrojtjen e tyre nga cdo lloj ndërhyrjeje si politike ashtu dhe kriminale. Por ana tjetër e monedhës së pavarësisë - saktësoi komisioneri europian - është llogaridhënia e gjykatësve dhe prokurorëve. Askush, as Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të dalin mbi Ligjin”, tha ai ndërsa shtoi se është shumë e rëndësishme që të kërkohen mënyra të reja për përmirësimin e bashkëpunimit dhe të jepet shembulli i duhur se shteti ligjor respektohet në të gjitha nivelet.

Prokurori i Përgjithshëm i ka përshendetur komentet e zotit Fratini duke u shprehur se “prokuroria do të jetë e hapur dhe e gatshme për të bashkëpunuar në ndërmarrjen e çdo reforme që i shërben rritjes së efikasitetit dhe goditjes së krimit”. Takimi i sotëm zhvillohet pak pas vendimit të Brukselit për të nisur bisedimet me vendet e Ballkanit për liberalizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të këtij rajoni drejt Europës. Bisedimet do të nisin më 30 nëntor dhe komisioni europian dëshiron ti mbyllë ato brenda gjysmës së parë të vitit 2007. Brukseli do të ofrojë lehtësira për disa kategori.

Biznesmenët, shkencëtarët dhe gazetarët do kenë viza shumëhyrëse, ndërsa për nxënësit e shkollave, studentët dhe shkencëtarët ato do të jenë falas. Për të tjerët taksa e vizës do jetë €35, nga taksa €60 që BE do zbatojë për gjithë botën, prej vitit 2007. Gjithashtu do të ofrohen edhe procedura më të thejshtuara për të shkurtuar kohën për marrjen e një vize.

Nga ana tjetër vendeve të ballkanit përfshirë dhe Shqipërinë u kërkohet të bëjnë përparime të dukshme në çështjet kyçe të sigurisë, si në luftën më të efektshme ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe imigrimit illegal, në përmirësimin e e kontrollit kufitar dhe të sigurisë së dokumenteve, ku sic tha dhe komisioneri Fratini, në rastin e Shqipërisë do të flitet për kartat e identitetit dhe elementët e sigurisë së pasaportave me identifikues biometriukë për të cilat ai mori sot një premtim nga kryeministri Berisha. Pra ndërsa Brukseli e ka bërë ofertën e tij, për ta merituar atë, gjithshka është në dorë të autoriteteve shqiptare të cilat duhet t’i përgjigjen kushteve që ka vendosur Bashkimi europian.

XS
SM
MD
LG