Lidhje

OKB-ja ka një ide të qartë mbi formën që do të marrë statusi i Kosovës


Negociatorët e Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës kanë tashmë një ide të qartë sesi do të duket propozimi i tyre për këtë status. Hua Jang, zëdhënësja e kryenegociatorit Marti Ahtisari, i tha Zërit të Amerikës, se kjo është tashmë e qartë për negociatorët ndërkombëtarë, por palët e interesuara, Prishtina dhe Beogradi, nuk e dinë ende. Prishtina kërkon pavarësi ndërsa Beogradi autonomi thelbësore për Kosovën, mes këtyre dy qëndrimeve diametralisht të kundërta, duket që negociatorët ndërkombëtarë e kanë qartësuar pozicionin e tyre se cfarë do të propozojnë si zgjidhje.

Negociatorët ndërkombëtarë për statusin e Kosovës e kanë të qartë sesi do të duket propozimi për statusin, por palët e interesuara, Prishtina dhe Beogradi, nuk e dinë ende, dhe nuk e kanë parë ende. Kështu deklaroi për Zërin e Amerikës, Hua Jang, zëdhënësja e kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin, Marti Ahtisari.

Zonja Jang nuk i konfirmoi pohimet në median e Beogradit se i dërguari i posaçëm i OKB për statusin e Kosovës Marti Ahtisari në ditët pas zgjedhjeve në Serbi do të shkojë në Beograd dhe Prishtinë me “propozimin e tërësishëm” për status, në mënyrë që gjatë bisedimeve me zyrtarët në Prishtinë dhe Beograd, të shohë se çfarë mendojnë ata për përmbajtjen e atij propozimi.

“Nuk kemi ndonjë datë ende, ende po punojmë për propozimin”, tha zonja Jang, duke shtuar se zoti Ahtisari në njoftimin e tij për shtyrjen e dhëniës së propozimit për statusin, ka përmendur zgjedhjet serbe, por jo formimin e qeverisë së re serbe, pas zgjedhjeve, që do të thotë se nuk duket se do të pritet formimi i qeverisë së re serbe për të dhënë propozimin për statusin.

Zëdhënësja tha se ende punohet me Grupin e Kontaktit për finalizimin e propozimit dhe ai, sic tha ajo, duhet të finalizohet deri në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi.

Propozimi do të shqyrtohet më parë në Grupin e Kontaktit dhe pastaj do t'i jepet Prishtinës dhe Beogradit. Ai do t'i dorëzohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që sic tha zonja Jang, do të vendosin se cfarë do të bëjnë me të. Parimet udhëheqëse të grupit të Kontaktit, diskutimet me palët, Prishtinën dhe Beogradin dhe diskutimet me lojtarët kryesorë ndërkombëtarë, do të jenë baza e formulimit të këtij propozimi për statusin e Kosovës, për të cilin palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta, Prishtina kërkon pavarësi ndërsa Beogradi ofron vetëm autonomi thelbësore.

XS
SM
MD
LG