Lidhje

Marrëveshje e rëndësishme tregëtare SHBA-Rusi

  • Paula Wolfson

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme tregëtare duke e afruar Moskën drejt anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregëtisë. Njoftimi për arritjen e marrëveshjes u bë ndërkohë që presidenti Bush filloi një takim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Zoti Bush e vlerësoi lart marrëveshjen.

“Kjo është një marrëveshje e mirë për Shtetet e Bashkuara dhe po aq e rëndësishme, është një marrëveshje e mirë për Rusinë dhe për tregëtinë ndërkombëtare".

Marrëveshja dy-palëshe pasoi bisedime të vështira disa vjeçare dhe prek thuajse të gjitha aspektet e marrëdhënieve tregëtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Dokumenti 800 faqësh u nënshkrua në Hanoi nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve, të cilët e cilësuan arritjen e marrëveshjes si fazën e fundit të një udhëtimi të gjatë.

Presidenti rus Vladimir Putin ishte i të njëjtit mendim. Ai foli nëpërmjet përkthyesit.

“Unë për veten time do të doja të shtoja se për 5 vjet ne jemi angazhuar në një proces të vështirë dhe përpjekje intensive, të cilat arritën kulmin me nënshkrimin e protokollit që Moska të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregëtisë, një rezultat ky i rëndësishëm i përpjekjeve tona".

Marrëveshja shikohet si një votë besimi e Shteteve të Bashkuara ndaj ekonomisë së Rusisë. Ajo përfshin çdo gjë nga ulja e tarifave për veturat deri tek mbrojtja e së drejtës së autorit.

Rusia është ende ekonomia më e madhe jashtë Organizatës Botërore të Tregëtisë. Madje marrëveshja ishte e domosdoshme për të siguruar miratimin e Shteteve të Bashkuara që ta përfshinte Rusinë në sferën e Organizatës Botërore të Tregëtisë.

Tani Rusia duhet të nënshkriajë një marrëveshje shumë palëshe me të gjithë Organizatën Botërore të Tregëtisë, proces për të cilin Moska thotë se mund të vazhdojë deri nga mesi i vitit 2007.

Ndërsa tregëtia ishte një çështje shumë e rëndësishme në takimin Bush-Putin në Hanoi, ajo nuk ishte e vetmja. Presidenti Bush kërkon gjithashtu një bashkëpunim më të madhe nga Rusia për sa i përket përballimit të sfidave të krijuara nga ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit.

Gjatë qëndrimit në Hanoi me rastin e takimit të nivelit të lartë të APEK-ut, presidenti Bush u takua edhe me udhëheqësit e Rusisë, Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, 4 vendet e angazhuara në bisedimet 6-palëshe mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Takimin me homologun e tij kinez, Hu Ghintao presidenti Bush e zhvilloi pak pas sesionit të fundit të forumit të APEK-ut. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se gjatë këtij takimi pati një diskutim shumë specifik dhe shumë pozitiv lidhur me Korenë e Veriut.

Kina është mbrojtësja më e madhe e Koresë së Veriut madje ka shërbyer edhe si organizatore e bisedimeve 6-palëshe mbi programin bërthamor të Phenianit. Ministria e jashtme e Kinës njoftoi se presidentët Bush dhe Hu janë të një mendimi se Pheniani duhet ta ketë fare të qartë kundërshtimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj programit të tij të armëve bërthamore.

Pas përfundimit të takimeve dy-palëshe në Hanoi, presidenti Bush u largua nga kryeqyteti vietnamez për të shkuar në qytetin Ho Çi Min. Në atë qytet ai do të takohet nesër me udhëheqës afaristë si dhe do të vizitojë një qendër kërkimore mjeksore para se të shkojë në Xhakartë për bisedime me presidentin indonezian, Susilo Bambang Judhojono. //ze//

XS
SM
MD
LG