Lidhje

Ban Ki-Mun do të pasojë zotin Kofi Anan


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së emërohet për një mandat 5 vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme, me rekomandimin e Këshillit të Sigurimit. Nga mesi i muajit tetor 192 vendet anëtare të OKB-së miratuan një rezolutë me anë të së cilës emërohej ministri i jashtëm i Koresë së Jugut, Ban Ki-Mun në krye të organizatës botërore.

Zoti Ban do të jetë sekretari i tetë i përgjithshëm në historinë 60 vjeçare të OKB-së dhe i pari nga Azia që nga viti 1962 – 1971, kur në këtë detyrë ishte U-Thant, nga Birmania. Zoti Ban pason zotin Anan nga Gana, i cili largohet pas një dekade në këtë detyrë në fund të dhjetorit.

Donald Stainberg, ekspert i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për OKB-në thotë se 62 vjeçari Ban Ki-Mun është një diplomat karriere.

“Ai ka shërbyer për 35 vjet në Ministrinë e Jashtme dhe departamente të tjera të qeverisë koreano-jugore. Në vitet 70-të ai ka qenë kreu i divizionit të OKB-së në Seul. Më pas ka qenë ambasador në Vienë, ku punoi mbi një gamë të gjerë çështjesh bërthamore. Ai ka qenë gjithashtu edhe shefi i kabinetit të presidentit të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.”

Zoti Stainberg dhe ekspertë të tjerë besojnë se zoti Ban u emërua pasi ishte një kandidat joproblematik, me fjalë të tjera, asnjë nga 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit nuk e kundërshtoi emërimin e tij.

Ish-këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, gjenerali Brent Skaukroft, thotë se emërimi i zotit Ban është një zhvillim interesant, sidomos për Uashingtonin.

“Për herë të parë në historinë e OKB-së, një aleat i njërit prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Shteteve të Bashkuara, zgjidhet në postin e sekretarit të përgjithshëm.”

Shumë analistë thonë se zoti Ban, një diplomat jo shumë i bujshëm, do të jetë shumë i ndryshëm nga sekretari i tanishëm Anan, i cili ishte një zë i fuqishëm publik, që kishte ngritur zërin për të drejtat e njeriut, zhvillimin dhe gjendjen e të varfërve.

Por Nensi Soderberg ish-zyrtare amemrikane në OKB, thotë se është ende herët për të parashikuar mënyrën e drejtimit të OKB-së nga zoti Ban.

Analistët thonë se ajo që është e qartë është se zoti Ban do të marrë në dorëzim një organizatë botërore në tranzicion. Do të jetë sfida e zotit Ban të vazhdojë procesin e reformave që filloi pararendësi i tij.

Ish-nën-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Brian Urquhart, thotë se zotit Ban Ki-Mun do t’i duhet të trajtojë probleme të rëndësishme ndërkombëtare.

“Një problem i hapur vazhdon të jetë Lindja e Mesme, pasojat e së cilit ndjehen në çdo zhvillim tjetër, sidomos mbi situatën në Irak. Terrorizmi, të cilit Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë një rëndësi të madhe, ngrohja globale, varfëria si dhe globalizimi. Zotit Ban nuk do t’i mungojë puna.”

Analistët thonë se zoti Ban do të gjendet përballë sfidës për të gjetur një ekulibër: ndërsa duhet të drejtojë dhe reformojë një institucion ndërkombëtar, ai njëkohësisht duhet të përdorë diplomacinë dhe forcën bindëse për të zgjidhur disa nga problemet më të mprehta të botës. //ze//

XS
SM
MD
LG