Lidhje

Prof. Pano:  Partitë politike në Shqipëri janë tejet të polarizuara

  • Intervistoi Ikonomi

Studiuesi me përvojë i çështjeve shqiptare, Nikolla Pano, thotë se partitë politike në Shqipëri vazhdojnë të jenë tejet të polarizuara dhe kjo ka minuar disa reforma të cilat janë jetike për vendin. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, profesori shqiptaro-amerikan flet edhe për çështjen e zgjedhjeve lokale, të prokurorit të përgjithshëm dhe të dosjeve të periudhës komuniste.

Zëri i Amerikës: Bashkimi Evropian ka nënshkruar me Shqipërinë një marrëveshje për asocim-stabilizimin, por Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë deri në anëtarësim. Bie në sy fakti se kërkesat e Bashkimit Evropian për Tiranën kanë qenë më tepër të natyrës politike se sa teknike. Cilat janë sipas jush difektet kryesore të politikës në Shqipëri?

Nikolla Pano: Mendoj se një ndër difektet kryesore të sistemit politik shqiptar është se partitë politike të vendit janë tepër të polarizuara, ka një mungesë bashkëpunimi dhe sidomos mungesë besimi mes udhëheqësve të partive dhe anëtarëve të tyre. Kjo krijon herë pas here një farë paralize politike dhe pengon formimin e një konsensusi politik. Disa herë kjo ka minuar reformat juridike dhe të tjera që janë mjaft jetike për Shqipërinë. Ka gjithashtu një mungesë pjekurie politike nga ana e shumë udhëheqësve shqiptarë. Shumë prej tyre shikojnë interesat e ngushta të partive të tyre dhe e vënë theksin tek objektivat afatshkurtëra në vend që të përpiqen të arrijnë rezultatet afatgjata që janë në interes të vendit. Kërkesat që do të duhet të përmbushë Shqipëria për anëtarësim do të jenë një provë e vështirë për udhëheqjen e vendit.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për zgjedhjet lokale që pritet të zhvillohen në Shqipëri ndoshta nga fillimi i vitit të ardhshëm. Mendoni se ato do të jenë një provë për kryeministrin Sali Berisha?

Nikolla Pano: Zgjedhjet do të jenë një provë si për kryeministrin Berisha ashtu edhe për Edi Ramën. Në rastin e kryeministrit Berisha, ai do të përpiqet të sigurojë mbështetje ndaj politikës së tij dhe ky do të retë rasti i parë i vërtetë që shqiptarët në tërësi do të mund të gjykojnë mbi arritjet e qeverisë. Ka patur shqetësime se qeveria nuk i ka mbajtur premtimet në të gjitha aspektet. Në thelb Presidenti Berisha do të kërkojë që atij t’i jepet mbështetja që kërkon në nivel lokal për të kapërcyer rezistencën e zyrtarëve vendorë aty ku ata mund të jenë socialistë. Këto zgjedhje do të jenë shumë të rëndësishme edhe për Edi Ramën. Ai ka patur shumë vështirësi për të afirmuar autoritetin e tij brenda të gjithë elementëve të Partisë Socialiste. Në nivelin e socialistëve të bazës ka patur shqetësime për udhëheqjen e Ramës dhe për mënjanimin e disa udhëheqësve të vjetër të Partisë Socialiste. Ka shumë shqetësime për atë nëse është apo jo ai njeriu që do të bashkojë socialistët. Pra, prova për Ramën do të jenë nëse ai do të arrijë të krijojë një bazë uniteti brenda Partisë Socialiste e cila ka fraksione. Rama erdhi në parti si forcë bashkuese. Për fat të keq një pjesë e gardës së vjetër në parti mbetet besnike ndaj Nanos. Ka edhe të tjerë që mendojnë se ai është po aq autoritar në qendrimet e tij sa ç’ishte zoti Nano. Nga ana tjetër, Rama duhet të sigurojë ruajtjen e aleancës me koalicionin e tij të majtë. Ai ka përballë edhe një provë tjetër – zgjedhjen si kryetar bashkie i Tiranës. Nëse dështon në këto prova, pozita e tij do të minohet seriozisht dhe ka shumë mundësi që ai të hiqet si kryetar i Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Qeveria e shumicës e zotit Berisha erdhi në pushtet me premisën për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. A i jep kjo të drejtë kryeministrit që të përpiqet të shkarkojë një prokuror të përgjithshëm nëse ky nuk e kryen me efektivitet detyrën apo një përpjekje e tillë do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve?

Nikolla Pano: Eshtë e qartë se lufta kundër korrupsionit është një ndër gurët themeltarë të politikës së kryeministrit Berisha dhe një element i rëndësishëm për të përcaktuar nëse Shqipëria do të arrijë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, pra kjo luftë duhet të ketë një përparësi të lartë në jetën e vendit. Çështja që shtrohet është nëse prokurori i përgjithshëm ka qenë apo jo i efektshëm ose nuk ka treguar forcë të mjaftueshme në ndjekjen ligjore të rasteve që kanë të bëjnë me korrupsion politik apo ekonomik. Kjo duhet parë. Gjatë seancave parlamentare u përgatit një dosje ku renditeshin të metat e Prokurorit të Përgjithshëm, Thoedhori Sollaku. Kjo dosje u shqyrtua nga Presidenti i cili tha se kishte kërkuar këshilla nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj, duke përfshirë amerikanë. Ai arriti në përfundimin se nuk kishte arësye të mjaftueshme për ta hequr zotin Sollaku. Mendoj se vendimi i Presidentit duhet të qendrojë në rast se demokratët nuk kanë argumente më bindëse për të treguar se zoti Sollaku është bërë pengesë në luftën kundër krimit. Me sa di unë, demokratët janë të interesuar në ngritjen e një komisioni ose caktimin e një prokurori të posaçëm për hetimin e zotit Sollaku. Kjo mund të jetë një mënyrë, por duhet të kemi parasysh se çdo përpjekje për të emëruar një prokuror të posaçëm duhet të jetë jopartiake, duhet të bëhet në mënyrë profesionale dhe do të duhet të bëhet në një atmosferë me tensione politike. Prandaj kërkohet një mekanizëm i cili të jetë mbi partitë dhe është e vështirë të përfytyrohet nëse kjo është diçka e mundur në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Pano, përse çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri nuk arrin të zgjIdhet dhe a dini ju ndonjë përvojë tjetër ku kjo përpjekje të ketë arritur një farë rezultati?

Nikolla Pano: Sëmundjet që janë në rrënjë të sistemit politik në Shqipëri dhe për të cilat fola, si mungesa e besimit mes partive apo polarizimi politik i skajshëm kanë vepruar deri në një farë mase për të fshirë përpjekjet e mëparshme në këtë fushë. Në fakt, disa nga përpjekjet e mëparshme lidhur me figurën e zyrtarëve ishin tepër të ashpra. Ligjet e para në në vitin 1995 dhe pastaj në vitin 1996 ishin haptas politike dhe synonin eliminimin nga gara politike të disa prej udhëheqësve të opozitës. Tani, situata ka një element të ri sepse Shqipëria, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është e detyruar sipas udhëzimeve të miratuara në shkurt të këtij viti nga Bashkimi, që të nisë një program të tillë. Kjo mund të marrë forma të ndryshme. Eshtë provuar në disa vende evropiane si Hungaria dhe Polonia dhe rezultatet kanë qenë të ndryshme. Një mënyrë për trajtimin e kësaj çështjeje që mua më duket shumë interesante është ajo që u përdor në Republikën e Afrikës së Jugut pas përmbysjes së apartejdit. Në vend u krijua Komisioni i së Vërtetës, i cili u dha rastin individëve që kishin patur lidhje me krime, me politika të padrejta ose me diskriminimin, për të pranuar krimet e tyre dhe për t’u penduar. Kjo do të ishte një mënyrë që mund të zbatohej në Shqipëri. Ajo që më shqetëson konkretisht për Shqipërinë është fakti se u bë shumë kohë që dosjet janë mbajtur në arkiva të ndryshme prandaj shtrohet pyetja nëse ato janë ndryshuar apo nëse prej tyre janë hequr ose shtuar dokumente. Mendoj se duhet të hapet një diskutim lidhur me integritetin e këtyre dosjeve dhe pastaj shqiptarët të fillojnë të ecin me shumë kujdes në këtë drejtim. Natyrisht tani nuk është koha e përshtatëshme sepse zgjedhjet vendore po afrojnë pastaj do të jetë edhe zgjedhja e presidentit, pra do të jetë një periudhë e tendosur. Por kjo periudhë mund të përdoret për shqyrtimin e integritetit të dosjeve. Nga ana tjetër, për këtë çështje është e nevojshme ngritja e një komisioni që ne në Amerikë e quajmë “komision i shiritit blu”, anëtarët e të cilit të kenë një integritet të padiskutueshëm dhe kjo do të ishte shumë e vështirë në Shqipëri. Një tjetër gjë që mund të bëhej për të ndihmuar të lihej pas e shkuara do të ishte të fillohej rishkrimi i historisë së Shqipërisë për të hequr nga historiografia shqiptare disa ndikime që janë ende të pranishme nga epoka komuniste.//ii

XS
SM
MD
LG