Lidhje

Këshilli i Sigurimit dënon vrasjen e Ministrit të Industrisë, Zhemael

  • Pitër Hajnllajn

Këshilli i Sigurimit i OKB-së lëshoi një deklaratë në të cilën dënonte vrasjen e zotit Zhemael disa orë pasi lajmi mbrriti në Nju Jork. Ambasadori francez në OKB, Zhan Mark de la Sablie, tha se Këshilli i Sigurimit donte të shprehte mbështetjen e patundur për qeverinë e kryeministrit libanez, Fuad Sinjora, përballë një përpjekjeje të qartë për ta dobësuar atë.

“Këshilli i Sigurimit dënon të gjitha përpjekjet për destabilizimin e Libanit. Kjo vrasje është një përpjekje për destabilizimin e Libanit.”

Në deklaratën e shkurtër të Këshillit të Sigurimit, zoti Zhemael cilësohej si një ‘simbol i lirisë dhe pavarësisë politike në Liban’.

Po dje, Këshilli i Sigurimit mbështeti një plan për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për gjykimin e personave të dyshuar për vrasjen vitin e kaluar të ish kryeministrit libanez, Rafik Hariri. Më pas, plani do t’i paraqitet qeverisë së Libanit për miratim.

Por diplomatët e Këshillit të Sigurimit pranuan se vrasja e një ministri të rëndësishëm të qeverisë mund të minojë përpjekjet për krijimin e gjykatës.

Zoti Zhemael, kritik i hapur i Sirisë, votoi javën e kaluar për miratimin paraprak të planit për krijimin e gjykatës. Ai votim u pasua me dorëheqjen e 6 ministrave të opozitës, duke e detyruar presidentin pro-sirian të Libanit, Emile Lahud që ta shpallte votimin të paligjshëm.

Diplomatët thanë se nëse edhe 2 ministra të tjerë japin dorëheqjen ose vdesin, qeveria libaneze do të binte, duke ndërlikuar edhe më shumë përpjekjet për gjykimin e të dyshuarve në vrasjen e ish kryeministrit Hariri.

Shumë libanezë fajësojnë Sirinë për një listë të gjatë vrasjesh politike në Liban. Një hetim i Kombeve të Bashkuara ka nxjerrë në dritë prova që tregojnë për një angazhim sirian të nivelit të lartë në vrasjen e zotit Hariri. Rezultatet e këtij hetimi janë afër përfundimit për t’iu paraqitur një gjykate.

Presidenti Bush, gjatë udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara në përfundim të turneut të tij në Azi, tha se personat përgjegjës për vrasjen e ministrit libanez të industrisë treguan fytyrën e tyre të urryer kundër lirisë.

“Për hir të paqes, bota e lirë duhet të kundërshtojë ata që minojnë demokracitë e reja dhe vrasin në emër të ideologjisë së tyre të urryer.”

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton, u përgjegj dje me zemërim kur një gazetar vuri në dukje se disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit kishin vënë në dyshim krijimin e një gjykate ndërkombëtare lidhur me vrasjen e zotit Hariri si një hap që mund të nxisë paqënrueshmëri në Liban.

“Sa tmerrësisht e gabuar është një gjë e tillë. Paqëndrueshmëri. Ata po vrasin njerëz në Liban, po vrasin udhëheqës politikë dhe të thuhet se nuk është koha për të kërkuar drejtësi? Në Këshillin e Sigurimit mund të ketë nga ata që thonë një gjë të tillë. Ata duhet ta thonë këtë hapur.”

Siria ka mohuar në mënyrë kategorike çdo ndërlikim në të gjitha vrasjet në Liban. Ambasadori sirian në Kombet e Bashkuara, Bashar al-Xhafari vuri në dukje dje se qeveria e tij lëshoi menjëherë një deklaratë në të cilën dënonte vrasjen e zotit Zhemael.

“Siria nuk ka asnjë lidhje me këtë vrasje. Siria ndikohet drejtëpërdrejtë dhe tërthorazi nga krime të tilla të tmerrshme të kryera në Liban.”

Këshilli i Sigurimit autorizoi Libanin të krijonte dhjetorin e kaluar një gjykatë ndërkombëtare. Në një raport javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Anan, bëri thirrje për një marrëveshje mbi planin për ngritjen e gjykatës jashtë Libanit.

Kjo gjykatë do të ketë më shumë gjykatës ndërkombëtare sesa libanezë dhe një prokuror ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm Anan tha se shumica jo-libaneze në gjykatë do të ndihmonte në sigurimin e pavarësisë së saj. //ze//

XS
SM
MD
LG