Lidhje

E ardhmja e ekonomive evropiane


Ekonomia e Evropës tregoi shenja të tjera të shëndetëshme këtë javë, me inflacionin që po ulet në zonën e Euros, besimin në rritje të konsumatorëve dhe papunësinë franceze në nivelin më të ulët në pesë vjet. Ndërkohë analistët thonë se integrimi i mëtejshëm është i nevojshëm për të arritur potencialin e plotë të ekonomisë evropiane.

Pas disa vitesh rënieje, ekonomia e Bashkimit Evropian është tani në ngritje. Komisioni Evropian ka njoftuar se indeksi i besimit ekonomik u rrit përsëri në tetor, si në 12 vendet e zonës së Euros edhe në 25 vendet e BE-së. Disa analistë thonë se mëkëmbja ekonomike është rrjedhojë e integrimit të shpejtuar ekonomik midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithë shqetësimet e fillimit të periudhës së një monedhe të vetme, Euro-ja duket se po tregon suksesin. "Monedha e vetme jep një numër përfitimesh për vendet që kanë nevojë për konsolidimin e llogarive të tyre fiskale". Erik Jones në Universitetin Johns Hopkins në Washington thotë se Euro-ja nxiti tregtinë duke eliminuar luhatjet në tregun valutor dhe duke ulur çmimet: "Vendet anëtare në zonën e Euros po veprojnë gjithnjë e më shumë si një ekonomi e vetme".

Skeptikëve të Euros iu përlqen të theksojnë se ekonomia e Amerikës është më e fuqishme sesa ajo e Evropës. Por zoti Jones thotë se suksesi i Euros nuk duhet të gjykohet përkundrejt treguesve financiarë në Amerikë: "Baza e krahasimit nuk janë Shtetet e Bashkuara. Por si do të dukej Evropa pa një monedhë të vetme. Evropa do të ishte në gjendje shumë më të keqe pa një monedhë të vetme", thotë Jones.

Por një bashkim i suksesshëm ekonomik do të kërkonte më tepër integrim thotë Henrik Enderline nga Universiteti Hertie në Berlin: "Tregu i brendshëm në Evropë, që duket kaq mirë në letra faktikisht është shumë larg".

Hapja e tregjeve kombëtare për konkurrencë midis të gjithë qytetarëve të BE-së ka sjellë protesta nga sindikatat e punës në vendet e pasura të Evropës Perendimore, të cilat kërkojnë mbrojtje nga krahu i lirë i punës i vendeve lindore të BE-së."Qytetarët evropianë ishin të gatshëm të braktisnin monedhën e tyre, por tani nuk janë ende në një pikë për të lejuar vërtetë të zbatohet një treg i integruar". Evropianëve nuk u pëlqen ideja e një sistemi buxhetor të centralizuar. Por Enderline thotë se Evropa duhet të rishqyrtojë nocionin e një buxheti federal të cilin ai e quan federalizëm fiskal. "Në fakt federalizmi fiskal thjesht nënkupton që rajonet e pasura u dërgojnë para rajoneve të varfëra".

Tani që Euro-ja po tregon shenja të suksesit, Enderline ka besim se Brukseli do ta bëjë integrimin e politikave fiskale projektin e ardhshëm madhor ekonomik për Bashkimin Evropian. Sa për skeptikët - Enderline thekson se në vitet 1980, një bashkim monetar dhe ekonomik evropian tingëllonte jorealist, kurse sot ai ekziston. //rd//

XS
SM
MD
LG