Lidhje

CEI mban takimin e radhës në Shqipëri


Ministri shqiptar i Ekonomisë Genc Ruli tha sot se Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit kanë nevojë për reforma radikale dhe komplekse për të arritur zhvillimin e kërkuar nga Bashkimi Europian. Ai tha se megjithatë këto reforma duhen adaptuar pa nxitim dhe konsultuar në mënyrë të kujdesshme me grupet e interesuara të biznesit. Ai i bëri këto komente përpara Forumit Ekonomik të Nismës së Europës Qendrore, që po mbahet për 3 ditë në Shqipëri.

Takimi i nëntë i vendeve të Nismës së Europës Qendrore CEI nisi sot në Tiranë me diskutimet mbi ritmin e reformave ligjore, ekonomike në rajon. Ekspertët e ekonomisë vlerësuan ecurinë e reformave të thella dhe përshtatjen sa më të shpejtë të këtyre vendeve të rajonit me standartet e Bashkimit Europian. "Për disa nga vendet tona, ku parametrat cilësorë të funksionimit të shtetit e të shoqërisë janë më të ulta krahasuar me vendet e tjera, kërkohet domosdoshmërisht të ndërmerren reforma dhe aksione publike apo private edhe më komplekse edhe më radikale edhe më të guximshme. Vetëm në këtë mënyrë këto reforma mund të sfidojnë dhe të fitojnë mbi të shkuarën dhe të tashmen. Vetëm kështu mund të ecim përpara me shpejtësi dhe qëndrueshmëri njëkohësisht" - tha Ministri shqiptar i Ekonomisë, Genc Ruli, në Forumin Ekonomik të Nismës së Europës Qendrore që po mbahet në Tiranë.

Zoti Ruli thotë se një bashkëpunim më i ngushtë midis vendeve të Ballkanit është i nevojshëm në projektimin dhe zbatimin e reformave ekonomike, sepse aktualisht ekzistojnë shumë marrëveshje rajonale që i kontribuojnë integrimit në Bashkimin Europian dhe arritjen e standarteve të tij. "Këto procese të politikës së mirë janë të domosdoshme dhe se realizmi në përcaktimin e synimeve dhe të politikave është gjithmonë thelbësor. Por theksoj se duhet të përballemi sistematikisht dhe të mposhtim interesat e investuara dhe mentalitetet e fiksuara në të shkuarën e largët apo të afërt si dhe në status quo-në e sotme" - tha zoti Ruli.

Shqipëria ka mbajtur presidencën e radhës së kësaj organizate. Forumi i nëntë ekonomik i Nismës së Europës Qendrore trajtoi tema ndërkombëtare dhe rajonale të reformave dhe prirjeve ekonomike. Në të morën pjesë dhjetëra zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të bizneseve nga 18 shtete europiane. //rd//

XS
SM
MD
LG