Lidhje

Sot në Amerikë është Dita e Falenderimeve


Është historia e një dite të ftohtë në fund të vjeshtës në vitin 1621, kur rreth 50 kolonë anglezë të quajtur pelegrinë të cilët kishin mbijetuar me vështirësi pas dimrit të parë në Botën e Re, ndërsa 50 të tjerë vdiqën morën pjesë në një festë për të korrat me fqinjët e tyre indianët e fisit Wampanoag.

Sipas drejtuesve të muzeut të Plantacionit Plimoth, aty ku pelegrinët dhe indianët shënuan të korrat mbi 300 vjet më parë, historia e Falenderimeve është e mbushur me mithe dhe teprime. Për shembull, ngjarja ka mundësi të ketë ndodhur në tetor, më pranë kohës së korrjes së misrit.

Kathleen Curtin një historiane në Plantacionin Plimoth thotë se rreth 90 burra vendas u mblodhën dhe hëngrën me Pelegrinët për tre ditë me radhë.

Pelegrinët ishin separatistë fetarë, një degë që ishte shkëputur nga një sekt strikt i quajtur puritanët, që paraqiten si një grup i ngurtë dhe jo shumë i prirur për festa.

“Ata ishin njerëz shumë besimtarë në kohëra shumë fetare. Megjithatë ata vinin nga Anglia e vjetër dhe e bujshme. Ishte pjesë e jetës së tyre që të pinin, hanin dhe të festonin. Nuk diskutohet që ata nuk ishin krejtësisht njerëz që nuk dinin ç’ishte gëzimi”.

Në dokumentat e pakta të vitit 1621 thuhet se në tryezë ishin shtruar shpezë. Por Kathleen Curtin thotë se ka mundësi që të ishin rosa dhe pata dhe pa dyshim që nuk ishin gjela deti të shëndoshë që familjet amerikane mbushin dhe pjekin sot. As ilustrimet e tavolinave të gjata të ditës së parë të falenderimeve plot me bukë, kek me kunguj dhe salcë boronicash.

“Anglezët i njihnin boronicat. Dhe anëtarët e fisit Wampanoag i hanin. Por ata nuk kishin aq sheqer sa të bënin salcë. Kunguj kishte, por nuk besoj se mund të bënin kek me kunguj, pasi nuk kishin miell gruri dhe furrën për ta pjekur”.

Linda Coombs është nëndrejtore e Programit për Indigjenët Wampanoag në Plantacionin Plimoth. Edhe ajo i hedh poshtë disa nga rrëfenjat nga koha e të korrave në vitin 1621. Ajo thotë se Wampanoagët gjuajtën pesë drerë për festën. Por ndryshe nga ç’thuhet në legjendë, ata nuk sollën kokoshka, një lloj misri që nuk ekzistonte në Masaçusets. Ata gjithashtu nuk vishnin kapele me pupla si ato të Indianëve të tjerë. Veshjet e tyre ishin të thjeshta dhe praktike. Zonja Coombs hedh poshtë edhe një fantazi edhe më të madhe të Falenderimeve.

“Sipas mitit të krijuar, indianët i mirëpritën anglezët në tokën e tyre, hëngrën gjel deti dhe që atëherë jetuan së bashku në harmoni dhe se bëhej fjalë për festën e parë të Falenderimeve, e para e pasuar nga shumë të tjera më pas. Ideja është që vendasit e pranuan kolonizimin me dëshirë gjë që nuk është e vërtetë”.

Aleanca mes Pelegrinëve dhe Wampanoagëve zgjatën vetëm 50 vjet para se traktatet e shkelura sollën si rezultat luftimet dhe gjakderdhjen.

Ka edhe një imazh tjetër të Festës së Falenderimeve që është shumë larg realitetit. Nëpër skica, burrat shfaqen me kostume pelegrinësh: pallto luksoze, këpucë me shkëlqim dhe kapele me rripa me tokëza. Në shekullin e 17-të vetëm të pasurit visheshin me aq ceremoni. Pelegrinët e varfër visheshin me pallto me lëkurë dreri. Pas vitit të vështirë që kishin kaluar, ata me siguri ishin mirënjohës edhe për ato veshje dhe që kishin shpëtuar gjallë. //ze//

XS
SM
MD
LG